2016-04-14 10:46:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: veprat e mëshirës në Besëlidhjen e Re


Në emisionin e kaluar ju njohëm me konceptin e mëshirës në Besëlidhjen e Vjetër. Sot, do të përqendrohemi në veprat e mëshirës, ashtu siç i rison Jezusi në Besëlidhjen e Re.

         Jezusi e mishëron Mëshirën Hyjnore, siç shihet qartë nga shembëlltyra e djalit plangprishës, në të cilën duket dashuria e mëshirshme e Atit, që feston kthimin e të birit. Kur e dallon të vijë nga larg atë, që kishte ikur duke pretenduar pjesën e vet të trashëgimisë, Ati shkon me vrap ta përqafojë. E sheh të birin të varfër, të papastër, me rroba të grisura, por nuk e pyet për asgjë, madje, edhe para se ta marrë vesh se është penduar, i jep rroba të reja, në shenjë të dinjitetit të rifituar, dhe përgatit festën për të (shih Lk 15,11-32). Ky Atë është i njëjti, të cilin Jezusi e thërriste me ëmbëlsi Abbà, që do të thotë baba, një Atë që nuk gjykon e nuk dënon, por fal përtej çdo imagjinate njerëzore.

         Mëshira e Zotit është pa fund dhe për të gjithë. Vërtet, Jezusi ia hap portat e Qiellit çdo njeriu, sepse i afërmi nuk është vetëm fqinji, kushëriri apo miku, por kushdo ka nevojë për ndihmë. Mëkatarët, të mjerët e të vuajturit, të braktisurit janë destinatarët e mesazhit të Tij, siç kuptohet nga shembëlltyra e Samaritanit të mirë. Një njeri i rrahur nga kusarët lihet gjysëm i vdekur në anë të rrugës, që nga Jeruzalemi çon në Jeriko. Një meshtar dhe një levit kalojnë andej pari, por as që i kthejnë sytë për ta parë, ndërsa një samaritan, që konsiderohej askush, u kujdes për të. Thotë Ungjilli sipas Lukës: “Një samaritan, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati mëshirë për të, iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pasë larë me verë e me vaj. Pastaj e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. Të nesërmen, nxori dy denarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem’” (Lk 10,33-35). Mësimi i Jezusit është praktik, konkret dhe i realizueshëm: “Shko e bëj edhe ti kështu” (Lk 10,37).

         Dashuria për të afërmin arrin plotësinë e saj në Mundimet, Vdekjen dhe Ngjalljen e Krishtit. Kryqi është vendi i privilegjuar, ku mëshira e Zotit për njeriun shprehet në nivelin e saj më të lartë, sepse zbulon deri në ç’pikë ka arritur Hyji për hir të dashurisë për njeriun. Zoti ia dorëzoi Birin e vet vdekjes, që vdekja të “vdiste” përgjithmonë. Vdekja mundet nga fitorja e ringjalljes. Qielli hapet, sepse Zoti “na rilindi me anë të mëshirës së vet të madhe në saje të ngjalljes prej së vdekurish të Jezu Krishtit, për shpresë jetësore, për trashëgim të pashkatërrueshëm, të panjollë e të pavyshkshëm” (1 Pjt 1,3-4).

         Realizohet kështu plani i Zotit i menduar që nga zanafilla, për shpëtimin e njerëzve, siç këndon shën Maria në “Magnificat” (Madhërimin e Hyjit) e Zakaria në “Benedictus” (Bekuar qoftë Zoti). Sipas shembullit të Mësuesit, edhe dishepujt e Krishtit u predikuan dhe u mësuan njerëzve veprat e mëshirës. Por për mënyrën si vijoi tradita e Kishës në përhapjen e këtyre mësimeve do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.