2016-04-14 12:42:00

Papa: të jemi të butë e të përvujtë, jo vetëm zbatues të ligjit


Duhet të jemi të butë e të përvujtë, duke e lënë Shpirtin Shenjt të veprojë mbi secilin prej nesh. Kështu tha sot Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë qortoi qëndrimin e atyre, që i rezistojnë Shpirtit, duke u justifikuar me “besnikërinë ndaj ligjit”.

Mos i rezistoni Shpirtit duke u justifikuar me ligjin

         Papa Françesku mori shkas nga Veprat e Apostujve, ku Filipi ungjillëzon etiopasin, oborrtarin e mbretëreshës Kandace, siç tregohet në Leximin e sotëm. Protagonisti i këtij takimi, nënvizoi Papa, nuk është as Filipi e as etiopasi, por Shpirti Shenjt. Ai i bën të gjitha gjërat, bën të lindë e të rritet Kisha:

         “Në ditët e kaluara, Kisha na propozoi dramën e rezistencës ndaj Shpirtit: zemrat e mbyllura, të ngurta, të marra, që i kundërshtojnë Shpirtit. I shikonin veprat – shërimin e sakatit nga Pjetri e Gjoni në Portën ‘E Bukura’ të Tempullit; fjalët dhe gjërat e mëdha të Shtjefnit… - por e lanë zemrën të mbyllur para këtyre shenjave të Shpirtit. E përpiqeshin ta justifikonin këtë rezistencë me të ashtuquajturën besnikëri ndaj ligjit, pra ndaj fjalëve në ligj”.

Butësia para dikimit të Shpirtit na jep gëzim

         Sot, komentoi Papa Leximin e parë, Kisha na propozon krejtësisht të kundërtën: jo rezistencën ndaj Shpirtit, por butësinë e përvujtninë, që janë qëndrime tipike të të krishterëve. Vetëm kështu Shpirti Shenjt mund të veprojë me sukses e ta çojë përpara Kishën. Filipi, njëri nga Apostujt, kishte punët e veta, por atë ditë, Shpirti i tha të linte gjithçka e të shkonte tek etiopasi, që po lexonte Isainë profet pa e kuptuar. Filipi u bind e kështu, i shpjegoi etiopasit Ungjillin e mesazhin e tij të shëlbimit. Shpirti Shenjt i ofron etiopasit dhuratën e fesë, të cilën ai e ndjeu në zemër, prandaj kërkoi të pagëzohej. “Dy njerëz – reflektoi Papa -  njëri ungjillëzues e tjetri, që nuk dinte asgjë për Jezusin, por Shpirti Shenjt kishte dikuar në të një kureshtje të shëndoshë e jo atë të fjalëve”. E së fundi, pas pagëzimit, eunuku e vijoi udhën me gëzim, me “gëzimin e Shpirtit”:

         “Kemi dëgjuar, ditët e kaluara, çfarë ndodh kur i kundërshton Shpirtit Shenjt; sot, kemi shembullin e dy njerëzve të butë, që iu bindën zërit të Shpirtit. E shenja e kësaj është gëzimi. Butësia ndaj Shpirtit është burim gëzimi. ‘Po unë dua të bëj diçka, dua të bëj këtë… por e ndjej se Zoti më kërkon diçka tjetër. Gëzimin do ta gjej atje, ku më ka thirrur Shpirti Shenjt!”.

Shpirti Shenjt e çon përpara Kishën

         Një lutje të bukur për t’i kërkuar Zotit të jemi të butë e të përvujtë, këshilloi Ati i Shenjtë, mund ta gjejmë në Librin e parë të Samuelit. Është lutja që Elia meshtar i sugjeron të riut Samuel, i cili, gjatë natës, dëgjonte një zë, që e thërriste: “Fol o Zot, se shërbëtori yt të dëgjon”:

         “Kjo është lutje e bukur, që mund ta bëjmë edhe ne, gjithmonë: ‘Fol o Zot, se po të dëgjoj’. Është lutja për t’i kërkuar Hyjit të jemi të butë ndaj Shpirtit Shenjt e me këtë butësi të çojmë përpara Kishën, të jemi mjete të Shpirtit që Kisha të mund të ecë përpara. ‘Fol o Zot, se shërbëtori yt të dëgjon’. Të lutemi kështu, disa herë në ditë: kur kemi ndonjë dyshim, kur nuk dimë, ose kur, thjesht, duam të lutemi. E me këtë lutje të kërkojmë hirin për të qenë të butë ndaj Shpirtit Shenjt”.








All the contents on this site are copyrighted ©.