2016-04-14 14:50:00

Papa në Lesbos: vizitë me karakter humanitar dhe ekumenik


U bë i njohur sot nga Salla e Shtypit e Vatikanit dhe nga Karitasi grek, programi i vizitës së Papës Françesku në ishullin Lesbos, ku do të takojë refugjatët. Ati i Shenjtë do të mbërrijë rreth orës 10.20 e do të pritet nga kryeministri Aleksis Tsipras, nga Patriarku i Kostandinopojës, Bartolomeu, nga kryepeshkopi ortodoks i Athinës e i gjithë Greqisë, Hieronimus, si edhe nga kreu i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Greqisë, imzot Fragkiskos Papamanolis.

         Në orën 10.35, takimi privat me kryeministrin, për t’u transferuar më pas, së bashku me krerët ortodoksë në kampin e refugjatëve në Moria. Në të ndodhen aktualisht rreth 2500 azilkërkues. Përgjatë parmakëve do të jenë të rreshtuar rreth 150 të mitur. Papa e krerët e tjerë fetarë do të kalojnë nëpër oborrin, ku regjistrohen refugjatët, e do të shkojnë në tendën e madhe, ku do të përshëndesin një për një 250 refugjatë. Nga oborri i regjistrimit, secili prej tyre do t’u flasë të pranishmëve. Në orën 12.40, nënshkrimi i një deklarate të përbashkët.

         Tri krerët fetarë do ta kalojnë drekën në një konteiner së bashku me disa refugjatë. Më pas, me një minibus, që është mjeti i udhëtimit për këtë ditë, do të shkojnë në portin e ishullit, ku do të takohen me banorët dhe me bashkësinë katolike të Greqisë, e cila, këto orë, po grumbullohet në Lesbos. Papa Françesku do të mbajë fjalimin e tij e në fund, të tri krerët fetarë do të thonë një lutje të shkurtër për viktimat e emigracionit. Pas një minuti heshtjeje, tre fëmijë do t’u japin atyre një kurorë dafinash, të cilën do ta hedhin në det në kujtim të viktimave.

         Pas transferimit për në aeroport, Papa Françesku do të ketë një takim privat individual me kryepeshkopin e Athinës e të gjithë Greqisë, me Patriarkun Ekumenik dhe me kryeministrin grek, për t’u nisur më pas për në Romë.

Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, saktësoi se vizita e Atit të Shenjtë në ishullin Lesbos është e 13-ta e Papës Françesku jashtë Italisë. Ajo ka karakter të ngushtë humanitar dhe ekumenik, por nuk synon të paraqesë qëndrime politike, ose të ndonjë natyre tjetër.








All the contents on this site are copyrighted ©.