2016-04-13 14:36:00

Karitasi dhe jezuitët: në Lesbos dhunohen të drejtat e njeriut


Të shtunën, Papa Françesku do të shkojë në ishullin grek të Lesbos, së bashku me Patriarkun e Kostandinopojës dhe me kryepeshkopin ortodoks të Athinës e të gjithë Greqisë, për t’u takuar e për t’u dhënë shpresë refugjatëve. Ndërkaq, prej ditësh ngrihen zëra për të denoncuar gjendjen e padurueshme, që është krijuar në kamp, pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian e Turqisë për kthimin e emigrantëve. Faktikisht, Brukseli ka vendosur të pranojë në territorin evropian si refugjatë vetëm sirianët, ndërsa të gjithë emigrantët e tjerë duhet të kthehen nga kanë ardhur.

         Karitasi Ndërkombëtar dhe Shërbimi i Jezuitëve për Refugjatët denoncojnë se kampi në Lesbos, pas marrëveshjes, është kthyer në një “qendër të mbyllur” të militarizuar, pra, njerëzit që ndodhen brenda nuk mund të dalin. Shërbimi i Jezuitëve për Refugjatët, në një notë, shpreh kënaqësinë për vizitën e Papës, e cila, shkruhet në dokument, nuk mund të bëhet në një çast më të mirë se ky, kur ndihet nevoja urgjente e solidaritetit konkret ndërkombëtar.

         Sipas jezuitëve, të cilët ndodhen edhe në Lesbos, për t’u shërbyer emigrantëve, marrëveshja evropiano-turke bie ndesh me ligjin ndërkombëtar dhe me parimin e moskthimit mbrapsht të njerëzve, që kanë nevojë për mbrojtje. Përmes Greqisë, nënvizohet në notë, gjatë vitit 2015 kanë hyrë në Evropë rreth 820 mijë vetë, të cilëve u duhen shtuar 150 mijë refugjatët dhe emigrantët e zbarkuar në Greqi këtë vit. Mëse gjysma e tyre kanë kaluar nga Lesbos. Agjencia e OKB-së për refugjatët njofton se në Greqi ndodhen të bllokuar mëse 22 mijë të mitur të pashoqëruar, të cilët kanë përpara një të ardhme të pasigurtë dhe rrezikojnë të dhunohen e të shfrytëzohen.

         Drejtori ndërkombëtar i Shërbimit të Jezuitëve për Refugjatët, atë Thomas H. Smolich, nënvizon: “Në një kohë kur kthimet mbrapsht duken zgjidhja e vetme e BE-së, urojmë që vizita e Papës të mos përfaqësojë vetëm një shenjë shprese për refugjatët, por një stimul konkret për qeverinë greke dhe për shtetet e tjera evropiane që ta realizojnë në praktikë shpresën e refugjatëve dhe të emigrantëve”.

         Vetë Shërbimi i Jezuitëve vepron në Athinë, ku ka një qendër strehimi për refugjatët  e për të varfërit dhe një qendër për integrimin. Ndërkaq, ndodhet edhe në ishullin Lesbos për të ndihmuar të sapoardhurit, së bashku me agjencitë e OKB-së për refugjatët, grupin ekumenik “Churches Together” (Kishat së bashku), Kishën anglikane, Ushtrinë e Shpëtimit dhe organizatat e tjera me karakter fetar, ndër të cilat, edhe ajo ortodokse “Apostujt”.

         “Akush nuk zgjedh një rrugë kaq të rrezikshme vetëm për të ikur nga shtëpia, nëse nuk është i detyruar”, thotë në notë Iva, një vajzë kroate, që punon me Shërbimin e Jezuitëve për Refugjatët në Greqi. “Shohim 80-vjeçarë e më të moshuar, njerëz në karrige me rrota… Duan të dinë nëse janë kaq me fat sa të ikin nga vdekja e sigurtë për një mundësi mbijetese. T’i quash emigrantë ekonomikë dhe t’i pengosh të kapërcejnë kufijtë do të thotë, thjesht, të mbyllësh sytë para problemeve, që ekzistojnë tashmë prej vitesh”.

         Jezuitët theksojnë se Evropa dhe qeveritë e ndryshme duhet t’u sigurojnë refugjatëve, pavarësisht nga kombësia, hyrjen dhe mbrojtjen; të mos i mbajnë të mbyllur, por të tregojnë vëmendje të veçantë për nevojat e tyre, sidomos për të miturit e pashoqëruar; ta shqyrtojnë kërkesën për strehim politik mbi baza individuale.








All the contents on this site are copyrighted ©.