2016-04-13 15:44:00

Atë Lombardi, Këshilli i kardinajve: merr formë dokumenti për Kurien e re


Përfundoi sot pasdite, pas tri ditësh pune, mbledhja e 14-të e Këshillit të 9 kardinajve, kryesuar nga Papa Françesku. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, foli për këtë me gazetarët.

Ishin të pranishëm, tha ai, të gjithë anëtarët e Këshillit, përveç kardinalit Gracias, që mungonte për arsye shëndetësore. Ati i Shenjtë mori pjesë në të gjitha seancat, përveç asaj të sotmes, për shkak të audiencës së përgjithshme. Pjesa më e madhe e konsultimeve iu kushtua dikastereve të ndryshme të Kuries, objekt reflektimi edhe në mbledhjet e mëparshme, në kuadrin e hartimit të Kushtetutës së re Apostolike.

Tekstet, që kanë të bëjnë me propozimin për dy Dikasterët e rinj, atë që do t’u kushtohet “Laikëve, Familjes, Jetës” dhe atë për “Drejtësinë, Paqen, Emigracionin” (që përfshin edhe Bamirësinë dhe Baritorinë e Shëndetit), u lexuan sërish dhe iu dhanë Atit të Shenjtë për vendimet përfundimtare.

U reflektua edhe për argumente të tjera. Në veçanti, kardinajtë u ndalën në kriteret për mbledhjen e informacionit dhe për emërimin e ipeshkvijve të rinj, në dritën e identitetit dhe të misionit të tyre baritor. I njëjti reflektim u bë edhe për nuncët apostolikë. U paraqitën edhe disa azhurnime nga ana e Prefektit të Sekretarisë për Ekonominë dhe nga ana e kardinalit O’Malley, përsa i përket veprimtarisë së Komisionit për mbrojtjen e të miturve.

Në ditën e fundit të takimit, Këshilli punoi për të mbledhur, sistemuar e integruar kontributet e ndryshme të sjella deri tani, në mënyrë që të fillojë hartimin e një propozimi tërësor për t’ia paraqitur Papës, në kuadrin e përgatitjes së Kushtetutës së re. Mbledhjet e ardhshme të Këshillit do të mbahen më 6-7-8 qershor, më 12-13-14 shtator dhe më 12-13-14 dhjetor.








All the contents on this site are copyrighted ©.