2016-04-13 15:05:00

Françesku: edhe mëkatarët hanë në tryezën e Zotit


Zoti nuk përjashton asnjë mëkatar nga dashuria e Tij, siç e tregon vetë Jezusi, që nuk kishte frikë të dialogonte me publikanë e prostituta. Në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku kujtoi figurën e Shën Mateut Apostull dhe fjalët me të cilat Jezusi u përgjigjet kritikave të farizenjve, të cilët nuk donin që Ai të shkonte te publikani. Zoti nuk do - theksoi Papa - fe fasade, por zemër të drejtë, të aftë të pendohet.

Jezusi ulet në sofër me një armik, me një të shitur, që u thith gjakun bashkadhetarëve, në favor të pushtuesve të urryer. Farizenjtë nuk do të ishin denjuar as t’ia hidhnin sytë Mateut, tagrambledhësit. Ndërsa Jezusi ia pranon ftesën e jo vetëm shkon e ha në sofër të tij, por e zgjedh edhe në rrethin e ngushtë të dishepujve të vet.

Kisha nuk është “bashkësi njerëzish të përkryer”

Thirrja e Mateut, kujtoi Papa, është vijë ndarëse ndërmjet atyre që e kanë fenë si stoli, e atyre, që e shikojnë si përvojë jete. Të jesh i krishterë - pohoi Françesku - nuk do të thotë edhe të jesh i pagabueshëm, i përkryer:

“Të gjithë jemi mëkatarë e të gjithë kemi mëkate. Duke e thirrur Mateun, Jezusi u tregon mëkatarëve se nuk e shikon të kaluarën e tyre, as gjendjen shoqërore, as pamjen e jashtme, por u hap një ardhmëri të re. Një herë pata dëgjuar një thënie të bukur, kujtoi Françesku: ‘Nuk ka shenjt pa të kaluar e nuk ka mëkatar pa të ardhme’(…). E bukur, kjo; e pikërisht këtë bën Jezusi. Mjafton t’i përgjigjesh thirrjes me zemër të përvuajtur e të sinqertë. Kisha nuk është bashkësi njerëzish të përkryer, por dishepujsh të vënë për udhë, që ndjekin Zotin, duke  pranuar se janë mëkatarë  e nevojtarë për faljen e Tij. Jeta e krishterë është shkollë përvujtërie, që i hap udhën hirit”.

Mëkatarë, që ulen rreth sofrës me Zotin

Farizeu i djeshëm dhe i sotëm, vërejti Françesku, pretendon se është i drejtë e jeton duke bërë përzgjedhje shoqërore, duke pranuar e duke përjashtuar. Ky është problemi i tij! Ndërsa Jezusi, pohoi Papa, paraqitet si mjek i mirë, që pranon gjithkënd:

“Për Jezusin, asnjë mëkatar nuk duhet përjashtuar(…). Duke i ftuar mëkatarët në tryezën e Tij, Ai i shëron e ua rikthen atë thirrje, që ata e besonin të humbur e që farizenjtë e kanë harruar qëkuri; atë të të ftuarve në gostinë e Zotit(…) Në se farizenjtë shikojnë tek të ftuarit vetëm mëkatarë e nuk pranojnë të ulen me ta, Jezusi, përkundrazi, u kujton se edhe ata janë mysafirët e Zotit”.

Ilaçe përtëritëse

“Ilaçet” me të cilat Jezusi tregon forcën shëruese të Zotit, janë Fjala dhe Eukaristia. Të dyja - theksoi Papa - duhet të japin shpresë e t’ia hapin zemrën tonë Zotit, që të hyjë brenda e ta shërojë:

“Nganjëherë kjo Fjalë është e dhimbshme, sepse zbulon hipokrizitë tona, u çjerr maskën kërkesave të rreme për falje, i zbulon krejt lakuriq të vërtetat e fshehura; por njëkohësisht, ndriçon e pastron, jep forcë e shpresë, është ilaç i çmuar në udhën tonë të fesë. Eukaristia, nga ana e saj,  na ushqen me  jetën e vetë Jezusit e, si ilaç tejet i fuqishëm, në mënyrë misterioze, e përtërin vazhdimisht hirin e Pagëzimit tonë”.

Nuk duhet të ndalohesh tek karta

Jezusi e përfundon takimin e ndeshjen e Tij me farizenjtë, që i kundërvihen, duke cituar Ozenë Profet: “Mëshirë dua, jo fli”. Domethënë, përfundon Françesku, dua një zemër të sinqertë e jo një fe fasade, sa për sy e faqe:

“Mëshirë dua  unë’, domethënë sinqeritetin e një zemre, që i pranon mëkatet e veta, e rishikon sjelljen e bën kthesë, duke lidhur përsëri besën e thyer me Zotin. ‘E jo fli’. Pa një zemër të penduar, asnjë veprim fetar nuk mund të ketë fryt. Jezusi e zbaton këtë shprehje profetike edhe për marrëdhëniet ndërmjet njerëzve: këta farizenj ishin shumë fetarë formalisht, por nuk donin të uleshin në një tryezë me mëkatarë, duke mos pranuar se mëkatari mund të kthehet. Nuk ishin në gjendje ta vinin mëshirën e Zotit në vendin e parë”.

Ndonëse rojtarë të ligjit, me këtë sjellje tregonin se nuk e njihnin  zemrën e Zotit. Është njësoj - kujtoi Papa - si të marrësh një dhuratë e ti, në vend që të kërkosh dhuratën, rri e shikon vetëm kartën, me të cilën është mbështjellë, shikon vetëm pamjen e jashtme, e jo bërthamën e hirit, të dhuratës që të bëhet. 

Në përfundim të audiencës, kujtimi se të diel do të kremtohet Dita Botërore e lutjes për thirrjet meshtarake e rregulltare, me ftesën drejtuar besimtarëve për t’iu lutur Krishtit, Bariu i Mirë, të dërgojë gjithnjë punëtorë të rinj në shërbim të Tij”.

Pastaj, gjatë përshëndetjeve të zakonshme, ajo drejtuar shtegtarëve polakë, në festë.








All the contents on this site are copyrighted ©.