2016-04-13 12:41:00

25 vjet më parë, ringritja e strukturave katolike në Rusi


Kremtohet sot, 25-vjetori i ringritjes së strukturave katolike në Federatën Ruse, rezultat i impenjimit të shën Gjon Palit II. Vërtet, më 13 prill 1991, pas gati 70 vjetësh klandestiniteti, Kisha Katolike në Rusi filloi një jetë të re. Ndërkaq, pas takimit historik ndërmjet Papës Françesku e Patriarkut rus Kirill, në Havanë, shkurtin e kaluar, më 6 e 7 prill, një delegacion dypalësh, nga kryedioqeza e Nënës së Zotit në Moskë dhe nga Kisha ortodokse ruse vizitoi Libanin dhe Sirinë për të promovuar nisma, koordinuar ndihma e mbështetur të krishterët në vështirësi. Flet në mikrofonin tonë, kryeipeshkvi katolik i Moskës, imzot Paolo Pezzi:

Patëm mundësinë të vizitojmë disa kisha dhe të shohim disa nisma, sidomos në Liban: mundëm të vizitojmë një kamp refugjatësh sirianë; takuam disa familje; vizituam një mencë për të varfërit… Së dyti, patëm një takim, ku morën pjesë të gjitha realitetet e krishtera të Damaskut, që dëshmuan si e kanë jetuar dhe si e jetojnë të krishterët fenë e tyre, dramën e ikjes nga shtëpitë, aspetativat dhe dëshirat për kthim. Në disa qytete flasim për shkatërrime deri në 60, 70, 80 dhe 90% të shtëpive.

Cila është gjendja e të krishterëve, që akoma jetojnë në vend?

Gjetëm mikpritje të madhe dhe dëshirë të jashtëzakonshme për të mos ikur… Sigurisht, takuam njerëz të sprovuar rëndë, por nuk e kishin humbur shpresën. Mua personalisht më bëri shumë përshtypje mungesa e plotë e mërisë dhe e mllefit ndaj atyre, që u kanë bërë keq të krishterëve. Pas vizitës së delegacionit, është edhe ideja e bashkimit ndërmjet të krishterëve, jo si diçka statike apo doktrinore, diçka e bërë në tryezë, por diçka “në ecje”, si dëshmi e impenjimit – falë Zotit - ndaj atyre, që vuajnë më shumë.

Sot, 13 prill, kremtohet 25-vjetori i ringritjes së dioqezave katolike në Federatën Ruse, pas 70 vjetësh klandestiniteti. Roli i shën Gjon Palit II është i pamohueshëm për këtë…

I jemi vërtet shumë mirënjohës Papës shenjt Gjon Palit II, sepse ngritja e këtyre strukturave kishtare na dha vërtet mundësinë të fillonim punën baritore me katolikët. Siç e dimë e siç dëshmojnë edhe të krishterët në Siri, aty ku është ipeshkvi, aty është Kisha, sepse ekziston mundësia e përjetimit të lidhjes me Shën Pjetrin, mundësia e takimit, e marrjes së Sakramenteve, mundësia për ta dëshmuar fenë. Dua t’u shpreh mirënjohjen edhe të gjithë meshtarëve jashtë vendit, sepse natyrisht, Kisha Katolike nuk kishte kler të vetin në Rusi në vitet ’90 e këta meshtarë dhanë edhe jetën – me të vërtetë! – për t’i edukuar në fe njerëzit dhe bashkësitë katolike.

Si kanë ndryshuar gjërat që atëherë? Ç’vlerë ka ky përvjetor?

Na thotë, që para së gjithash, t’i jemi mirënjohës Zotit për çka na jep; së dyti, të mos e humbasim kurrë shpresën, sepse edhe në situatat më të vështira, ka gjithnjë një dritë, që na lejon të ecim përpara. Më kujtohet një plakë e shkretë në Siberi, e cila, në fillim të shërbimit tim meshtarak, pikërisht në vitet ’90, më tregonte: “Kur u internova isha fëmijë, 10 vjeç, në vitet ’30, e nëna ime më thoshte: ‘Kishën – në vendin ku jetonin atëherë, në Rusinë evropiane – që tani u shkatërrua, ti nuk do ta shohësh më e as unë s’do ta shoh më. Por mbaje mend se një ditë ti do të shohësh prapë një meshtar e edhe mundësinë që Kisha të rilindë’”. Ajo ma tregonte e mallëngjyer këtë histori e shtonte: “E shikon o atë, pas 45 vjetësh, unë jam dëshmitare se fjalët, që më thoshte nëna, ishin të vërteta. E unë nuk e kam humbur kurrë shpresën, gjithë këto vite”.








All the contents on this site are copyrighted ©.