2016-04-11 19:00:00

Spadaro: Amoris Laetitia (Gëzimi i Dashurisë), doktrina është rrënjësisht baritore


Në numrin e fundit të Civiltà Cattolica, drejtori i revistës, ati jezuit Antonio Spadaro shpjegon domethënien dhe strukturën e Nxitjes Apostolike Amoris Laetitia (Gëzimi i dashurisë), botuar këto ditë, fryt i dy Sinodeve mbi familjen. Dokumenti, në përkim të plotë me përvojën e përditshme të familjes, është i aftë për t’i kapërcyer vizionet abstrakte mbi këtë qelizë themelore të shoqërisë njerëzore. Të dëgjojmë atë Spadaron, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Kjo është nxitje, që mund ta lexojë gjithkush, nuk i takon vetëm të ngarkuarve me këtë punë. Prej këndej, mund të themi se ka  frymëmarrje të thellë, të bazuar mbi përvojën e vetë jetës. Posaçërisht i rëndësishëm ngulmimi i Papës për të shmangur çdo formë abstragimi të panevojshëm idealizues, që ndeshet shpesh në gjuhën teologjike. Amoris  Laetitia synon të pohojë me forcë realitetin e pasur e të ndërlikuar të familjes, jo idealin e saj abstrakt. Problemi kapet në mënyrë shumë pozitive, lidhet me realitetin e përshkohet nga një frymë mirëkuptimi e përzemërsie.

Pyetje: - Atëherë mund të themi se është dokument, që pohon se teologjikisht nuk ekzistojnë të vërteta abstrakte….

Përgjigje: - Papa pohon se është një doktrinë e krishterë, domethënia e së cilës duhet të jetë rrënjësisht baritore. Kjo më duket zemra, motori i Nxitjes Apostolike, domethënë, doktrina është rrënjësisht baritore, e - siç thotë e Drejta Kanonike – shërben për “salus animarum”, domethënë për shpëtimin e  shpirtrave.

Pyetje: - Duket  mjaft qartë se një nga fjalët-kyçe të këtij dokumenti është shoshitja. Por ç’kuptim merr në zemrën e Amoris Laetitia?

Përgjigje: - Shoshitje do të thotë – në perspektivën injaciane – posaçërisht ta kërkosh e ta gjesh Zotin në jetën tënde – Prej këndej, është e qartë se mbështetet në doktrinën ungjillore duke u mishëruar edhe në jetën time konkrete, në lirinë time, në ndërgjegjen time, në kufizimet e mia. Prej këndej, mund të themi se Papa e përqendron vëmendjen mbi këtë dialog të thellë ndërmjet njeriut e Zotit e mbi rrugën që ndjek e vërteta ungjillore për të marrë formë brenda jetës njerëzore.

Pyetje: - Kjo nuk do të thotë se e kemi një të vërtetë, por pastaj, në praktikë, mund të bëhen edhe përjashtime nga rregulli?

Përgjigje: - Një herë Papa pati thënë, duke shkandulluar paksa, se e vërteta është relative. Çfarë deshi të thoshte? Jo se e vërteta nuk është absolute, por se lidhet me njerëzit, domethënë, po të mos jetë njeriu, e vërteta ungjillore mbetet e vetme, e izoluar, e kotë. Prej këndej duhet shqyrtimi, duhet gjykimi, për ta kuptuar se e vërteta ungjillore mishërohet konkretisht në jetën time, në veten time, nuk nënkupton gjykimin mbi fajësinë e njeriut për të cilin bëhet fjalë. Ky është një fragment tepër i rëndësishëm, sepse vë në  pah  ndërgjegjen e edhe pse nuk i vë kufi integrimit, as atij sakramentor.

Pyetje: - Lidhur me gjendjen e familjeve të plagosura, me situatat e ashtuquajtura “të parregullta”, siç thotë Papa Françesku, dokumenti nënvizon rëndësinë që  të mos i vihen kufij integrimit, i cili nuk duhet të ketë kufizime….

Përgjigje: - Papa ka ngulmuar gjithnjë mbi nevojën e integrimit edhe të atyre, që nuk janë në gjendje ta jetojnë plotësisht jetën e krishterë. Kisha është Nënë, Kisha është e mëshirshme. Është pikërisht kështu: Kishë, që i pranon të gjithë bijtë e saj. Kjo do të thotë se një normë kanonike nuk mund të zbatohet gjithnjë, me një fjalë, në të gjitha rastet, në çdo situatë, pikërisht sepse ekziston ndërgjegjja. Kështu nganjëherë ndodhemi para një situate mëkati objektiv – si të themi – ku nuk ka fajësi subjektive. Atëherë, gjykimi objektiv mbi një situatë subjektive nuk e nënkupton gjykimin mbi fajësinë e njeriut që ka të bëjë me të.

Pyetje: - Në këtë tekst Papa përsërit pohimin kryesor të “Evangelii Gaudium”: “Koha ka epërsi mbi hapësirën”. Ç’do të thotë kjo, në fushën e baritorisë familjare?

Përgjigje: - Jeta familjare është proces pjekurie, që kërkon kohë e që shtrihet në kohë. Është shumë e bukur figura e këtij procesi, i cili zhvillohet në liri. Papa flet shpesh për pjekuri, flet për rritje, për kultivimin e pavarësisë së vërtetë. Prej këndej, Kisha nuk duhet të jetë,  ashtu si çdo nënë e mirë, e pushtuar në tepri nga ankthi për të bijtë, si të dëshironte të ishte gjithnjë e pranishme kudo e kurdoherë në jetën e tyre. Rëndësi ka të jetë pranë bijve me mendje e me zemër, të jetë në përkim, që pastaj të mund të vlerësojë rritjen dhe lirinë e njerëzve.

Pyetje: - Vëmendja e opinionit publik, e shtypit,  ishte përqendruar tek ajo, që do të thoshte Papa për mundësinë e pjesëmarrjes të të divorcuarve të rimartuar në Sakramente. Cila është përgjigjja, që jep ky dokument?

Përgjigje: - Ndoshta pyetja nëse të divorcuarit e rimartuar mund të marrin pjesë ose jo në sakramente, nuk ka më kuptim, sepse bën fjalë për një normë të përgjithshme, që zbatohet në të gjitha rastet, pra në raste pozitive dhe negative. Papa e çmonton këtë logjikë dhe pohon rëndësinë e shoshitjes, përballë situatave, të cilat janë nga më të ndryshmet. Atëherë, sidomos, pohon me qartësi të madhe se jemi të thirrur t’i formojmë ndërgjegjet, e jo të pretendojmë t’i zëvendësojmë. E vlerëson, pra, shumë lart ndërgjegjen, e cila, pastaj, duhet të ballafaqohet me barinjtë. E pikërisht në ballafaqim me këta të fundit merret vesh cila është situata e vërtetë që po jetojnë njerëzit, cila, shkalla e përgjegjësisë e mund të kuptohet edhe nëse është apo jo e mundur të merret pjesë në  Sakramente.

Pyetje: - Teksi mbylli udhën Sinodale kushtuar familjes e ne, natyrshëm, na lind pyetja: cila do të jetë udha e re, që do të hapet…

Përgjigje: - Unë nuk jam krejt i sigurt se ky tekst mbyll vërtet ndonjë udhë. Besoj se tekstet e Papës Françesku nuk mbyllin kurrë ndonjë udhë. Ndoshta mund të themi se mbyllin një etapë shumë të rëndësishme në nivel të lartë të shërbesës papnore, brenda udhës sinodale, që u hap pak muaj pas zgjedhjes së Papës Françesku por që, sigurisht, do të vijojë me thellime të mëtejshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.