2016-04-11 17:17:00

Papa Gjoni XXIII përmes Enciklikës “Pacem in Terris” dëshmoi se paqja nuk është utopi


Më 11 prill 1963 Papa Roncali nënshkroi Enciklikën “Pacem in Terris”, duke e ftuar krejt njerëzimin të impenjohet për paqen dhe për bashkëpunimin ndërmjet popujve.

Më 11 prill 2013 në 50-vjetorin e dokumentit, ish-sekretari i veçantë i Papës Gjoni XXIII, imzot Loris Capovilla, në një intervistë dhënë Radio Vatikanit e përshkruante frymën dhe atmosferën e lindjes së Enciklikës “Pacem in Terris”, kështu:

Qe ditë e madhe për Kishën Katolike e për krejt njerëzimin, sepse qe dokumenti i parë, të cilin Papa Gjoni – i frymëzuar nga Zoti – ua dërgoi jo vetëm kardinajve, patriarkëve, kryeipeshkvijve, ipeshkvijve, por edhe – për herë të parë – të gjitha grave e burrave vullnetmirë! ‘Pacem in Terris’, Enciklika e fundit e Gjonit XXIII, është shërbimi i skajshëm, dëshmia e skajshme e një ati, që i drejtohet familjes njerëzore, duke i ftuar të gjithë njerëzit ta ndjejnë veten bij të Hyjit.
Ai mësim bëri përshtypje të jashtëzakonshme dhe u prit si testament, që ati i urtë e i shndritur nga Zoti, ia linte familjes njerëzore, përshkuar nga interesa të kundërta, nga kundërshti të pakuptimta e nganjëherë, të pamëshirshme. Papa Gjoni, në këtë Enciklikë, thotë: “Imi, është para së gjithash, shembulli që desha të jap gjatë jetës, sipas mësimeve të librit të vogël të rinisë sime, “Imitimi i Krishtit”; njeriu i paqes bën më tepër të mira se njeriu i shkollës”. Ai nuk e quante veten mjeshtër, reformator, ‘magjistar’, që zgjidh problemet e ngritura nga gjendja dramatike e botës. Bëri thjesht detyrën e tij të parë, për të katekizuar me dashuri e për të ecur përkrah bashkohasve të vet, që i dëgjonte dhe i qortonte. 
Nxiti pa asnjë dyshim një veprimtari kapilare për të përkrahur edhe mundësinë më të vogël për paqen, kundër instiktit luftarak. Do të duhen vite, shekuj po deshët, por kjo nuk ka rëndësi, koha nuk është e jona! Rëndësi ka se nuk kultivojmë një utopi, por një siguri, një shpresë; shpresën ungjillore se një ditë të bukur, të gjithë njerëzit do ta braktisin dhunën e do të bashkëpunojnë! Më vijnë ndërmend disa shprehje të Papës Françesku: do të ecin së bashku, do të ndërtojnë së bashku e do të dëshmojnë së bashku gjithëpushtetin, mirësisë, mëshirën e dashurinë e Zotit.

Vetëdija për rëndësinë e lirisë, të bashkëpunimit, të vëllazërimit e të paqes, që natyrisht, ecin bashkë… Papa Gjoni XXIII e dinte mirë këtë, apo jo?

Një nga tri shenjat e kohës, që përmenden në hyrjen e Enciklikës, është aspirata e zjarrtë e të gjithë popujve, të vegjël e të mëdhenj, për bashkëpunim, për integrim. Vetë Papën, në fillim të papnisë, e pyetën: “Ju, jeni italian, por keni udhëtuar jo vetëm në Itali, por edhe në Bullgari, në Greqi, në Francë… Ju keni shkuar në Afrikën Veriore, keni vizituar gjithë Evropën. Ku e keni ndjerë veten më mirë?” E ai u përgjigj: “Para së gjithash, në fshatin tim të vogël ku linda, fshat bujqish, që punojnë tokën, e pastaj, në jetën time, kudo ku kam shkelur, kam lënë edhe zemrën, sepse gjithë botën e kam si familje!”








All the contents on this site are copyrighted ©.