Kalendari Kishtar më 11 prill përkujton shën Stanislaun, ipeshkëv e martir të Krakovisë.
Mbreti Boleslau II i Polonisë (1058-1079) kujtohet nga historia për fitoret e bujshme
ushtarake që e fuqizuan shtetin e tij të ri, duke ia zgjeruar kufijtë, në dëm të Rusisë,
për vlerësimin e tokave, të cilat i riorganizoi në mënyrë të re, për reformat juridike
dhe ekonomike. Por njëkohësisht historiani i parë polak, Vinçenc Kadlubek, e kujton
po këtë mbret si njeri të padrejtë, me një jetë tepër të shthurur private.
E ndërsa Boleslau vijonte të ecte në rrugë imorale, u ndesh me një kundërshtar të
pamposhtur. Ashtu si Shën Gjon Pagëzuesi përballë Herodit, ipeshkvi guximtar i Krakovisë,
Stanislau, e ngriti fuqimisht zërin kundër sovranit, duke e qortuar rëndë e duke i
kujtuar se duhet të respektonte jo vetëm të drejtat e vetvetes, por edhe të të tjerëve.
Stanislau kishte lindur rreth vitit 1030 në Shzepanovo, në dioqezën e Krakovisë, nga
prindër të varfër. Si kreu mësimet e para ndër etërit benediktinë të Krakovisë, iu
krijuan kushtet për t’i plotësuar në Belgjikë, në studentatin e famshëm të Liezhit,
ku edhe u diplomua. U kthye menjëherë në atdhe, ku nisi të dallohej për zellin baritor
e për veprat e mira, që i realizonte me dashuri e urti.
Si vdiq ipeshkvi i Krakovisë, Papa Aleksandri II e emëroi atë në detyrën e lartë.
Përveç popullit e klerit, emërimi i tij u prit me gëzim të madh edhe nga vetë Boleslau
II, i cili në vitet e para e përkrahu fuqimisht në veprën e ungjillëzimit të të gjithë
zonës si dhe në përpjekjen për formimin e klerit dioqezan vendas, që duhet të zinte
pak nga pak vendin e murgjërve benediktinë në mbarështimin e Kishës polake.
Harmonia ndërmjet ipeshkvit e sovranit nuk zgjati shumë, sepse mbreti i ri dredhoi
rrugë e nisi të ecte në gjurmët e t’et. E Stanislau guximtar nuk ngurroi t’i kundërvihej
mikut. Kronikat e kohës tregojnë se mbreti, i dashuruar me Kristinën, aristokrate
me bukuri të rrallë e bashkëshorte e Mieçislaut, e rrëmbeu atë, duke shkandulluar
gjithë vendin.
Ipeshkvi sypatrembur e qortoi rëndë e pastaj edhe e mallkoi mbretin, duke ndezur flakë
zemërimin e tij. Boleslau II iu përgjigj mallkimit që iu bë para gjithë popullit duke
e mbytur imzot Stanislaun në sa çonte Meshë në Kishën e Shën Mikelit. E mbrapshtia
e tij kishte arritur deri në atë pikë, saqë e vrau me dorë të vet ipeshkvin trim.
I nderuar nga polakët që nga dita e martirizimit të tij, Stanislau u shpall shenjt
më 17 gusht 1253 në bazilikën e Shën Françeskut të Asizit e, që asokohe, kulti i tij
u përhap me shpejtësi në Evropë e në Amerikë.
All the contents on this site are copyrighted ©. |