2016-04-10 15:59:00

Papa e Bartolomeu në Lesbo. Metropoliti Zervos: solidarë me refugjatët


Vlojnë përgatitjet në ishullin grek Lesbos ku, më 16 prillin e ardhshëm, do të shkojë Papa i cili - së bashku me Patrikun Bartolomeu dhe me Primatin e Kishës ortodokse greke Hieronymus II – do të takohet me refugjatët, që ikin posaçërisht nga dhuna në Lindjen e Mesme. Intervistuam metropolitin ortodoks Gennadios Zervos, përfaqësues i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës në Itali e në Maltë:

Përgjigje: - Është rast i jashtëzakonshëm, i lumtur, i krishterë e njerëzor, për të treguar dashurinë ndaj çdo njeriu, që është ikonë e Zotit. Prania e Papës Françesku dhe e Patrikut Bartolomeu në Greqi, me ftesë të Fortlumturisë së tij, Primatit të Greqisë Hieronymus, është vërtet ngjarje historike, sepse një gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë: mund t’i themi, prandaj, faleminderit Zotit e ta presim me gëzim e shpresë këtë ngjarje të madhe.

Pyetje: - Një shenjë konkrete e udhës drejt bashkimit, edhe përsa u përket  nevojtarëve?

Përgjigje: - Është vërtet mëkat i madh kundër Zotit t’i shikosh gjithë ata njerëz, që jetojnë në këtë situatë kaq tragjike. Janë vëllezërit tanë e nuk duhet t’i lëmë në mes të këtyre vështirësive. Duhet që të gjithë, të bashkuar në një trup të vetëm e në një shpirt të vetëm, t’i shpëtojmë. Lutemi vazhdimisht, lutemi për misionin e Papës Françesku e për Patrikun tonë ekumenik Bartolomeu. Ata na tregojnë ne, besimtarëve, ç’duhet të bëjmë. Përvijojnë udhën, lëshojnë një rreze drite për këta vëllezër, që vuajnë e kanë nevojë për ndihmën tonë e për dashurinë tonë.

Pyetje: - Ky shtegtim, me shumë vlera e domethënie, duket se është takim…

Përgjigje: - Besoj që të jetë një takim vërtet njerëzor, baritor, shpirtëror, kishtar, që i ndihmon të krishterët, u tregon ku duhet të shkojnë e kë duhet të ndjekin. Sepse shumë politikanë, e edhe të tjerë, flasin e flasin për ata që e kanë fajin, por nuk luajnë as një gisht për t’i ndihmuar vëllezërit tanë,  prani e Zotit, që vuan. Ndërsa angazhimi duhet të jetë pikërisht ky: të ndihmohen refugjatët. Është detyra jonë dhe të gjithë duhet të sensibilizohemi për këtë, derisa të marrë fund ky çast tragjik për mbarë njerëzimin.

Pyetje: - Domethënë ju mendoni se duhet vepruar…

Përgjigje: - Nuk duhet vetëm të flasim, të mbetemi në këtë pështjellim, në këtë kaos, duhet të veprojmë. Kur mbetemi vetëm te fjalët e nuk jemi “punëtorë” të dashurisë së Zotit, i cili na thërret pranë këtyre njerëzve që vuajnë, rezultati është zero!

Pyetje: - Ju keni thënë: “I madh është gëzimi për këtë prani në ishull, më 16 prillin e  ardhshëm…

Përgjigje: - Patriku Bartolomeu e Papa Françesku janë gëzimi ynë. Ashtu si Zoja e Bekuar i tha Kryeengjëllit Gabriel “po”, për të na shpëtuar ne, ashtu edhe ata thanë ‘po’, duhet të shkojmë atje, sepse duhet t’i sensibilizojmë të gjithë, për ta kuptuar se është mëkat i madh të diskutosh, duke ndenjur duarkryq, pa vepruar fare. Duhen shpëtuar këta vëllezër. Kanë nevojë për ndihmë konkrete, që të mund të jetojnë!








All the contents on this site are copyrighted ©.