2016-04-10 14:33:00

Françesku kërkon lirimin e atit Tom dhe gjithë të rrëmbyerve në zonat e luftës


Thirrje e Papës, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, për lëshimin, në Jemen, të atit Tom dhe gjithë të rrëmbyerve në zonat e luftës. Në katekizëm, ftesa drejtuar të krishterëve për ta çuar kudo një rreze nga drita e Ngjalljes së Zotit. Në ditën e sotme, kushtuar Universitetit katolik të Zemrës së Krishtit, Françesku uroi që t’i formojë sa më mirë të rinjtë, në rrethanat aktuale.

Menjëherë pas lutjes mariane, thirrja e Papës Françesku:

“…me shpresën, që na dhuroi Krishti i Ngjallur, përsëris thirrjen time për lirimin e gjithë njerëzve të rrëmbyer në zonat e ndeshjeve të armatosura: në mënyrë të posaçme, dua të kujtoj meshtarin salezian Tom Uzhummalil, rrëmbyer në Aden të Jemenit, më 4 marsin e kaluar”.

Më pas, fjalë të frymëzuara nga Ungjilli i së dielës, në të cilin tregohet  sesi Krishti i Ngjallur iu duk për herë të tretë dishepujve mbi liqenin e Galilesë. Ata, të lodhur, të këputur e të zhgënjyer nga peshkimi i pafryt i natës, nuk e njohin. Megjithatë, i përgjigjen ftesës së Tij për t’i hedhur përsëri rrjetat. Peshkimi është i mrekullueshëm. E dishepujt, edhe më të mrekulluar nga  kjo ngjarje, mezi i nxjerrin rrjetat përplot me peshq, kujtoi Papa, për të nënvizuar:

“Prania e Krishtit të ngjallur e shndërron gjithçka: errësira mposhtet nga drita, puna  e kotë bëhet rishtas e frytshme e premtuese, ndjesia e lodhjes dhe e braktisjes i lë vendin hovit të ri e sigurisë se Ai është me ne”.

E, vijoi Papa:

“Nëse i shikojmë cektësisht gjërat, nganjëherë mund të na duket se errësira e së keqes dhe mundimi i përditshëm do të kenë epërsinë. Po Kisha e di me siguri se mbi të gjithë ata, të cilët ndjekin Zotin Jezus  shndrit tashmë drita e Pashkëve, që nuk njeh perëndim”.

E kjo sepse, shpjegoi Françesku, kumti i madh i Ringjalljes dikon në zemrat e besimtarëve gëzimin e thellë dhe shpresën e pamposhtur:

“Krishti u ngjall! Vërtet u ngjall! Edhe sot Kisha vijon t’i bëjë jehonë këtij kumti festiv: gëzimi e shpresa vijojnë të ndrisin në zemra, në fytyra, në gjeste, në fjalë”.

Të gjithë ne, të krishterët, jemi të thirrur t’ua përcjellim këtë mesazh ngjalljeje atyre, që i takojmë:

“Posaçërisht atij, që vuan, që është vetëm, që jeton në kushte varfërie, refugjatëve, të braktisurve… T’ua çojmë të gjithëve një rreze nga drita e Krishtit të Ngjallur, një shenjë të pushtetit të Tij të mëshirshëm”.

Para përshëndetjeve përfundimtare drejtuar besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit dhe pjesëmarrësve në Maratonën e Romës, Papa kujtoi ditën e sotme kombëtare kushtuar Universitetit katolik të Zemrës së Krishtit, me temë: “Në Italinë e nesërme, unë do të jem”:

“Uroj që ky Universitet i madh, i cili vijon t’i bëjë një shërbim të rëndësishëm rinisë italiane, të vijojë me angazhim të ri misionin e tij formues, duke ia përshtatur gjithnjë më shumë kërkesave të sotme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.