2016-04-09 19:33:00

Papa Qendrës Aletti: persekutimet janë pjesë e dëshmisë së krishterë


Papa kremtoi, dje pasdite, një Meshë, në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në Pallatin Apostolik, me rastin e 25-vjetorit të Qendrës së Studimit e të Kërkimit “Enzio Aletti”  mbi krishterimin në lindjen evropiane, themeluar nga ati jezuit Marko Ivan Rupnik, menjëherë pas rënies së regjimeve komuniste në Evropën Lindore dhe në 20-vjetorin e Ateliesë së Artit, që lidhet me të. Të pranishëm, rreth 80 vetë. Pikërisht drejtori i Qendrës Aletti, jezuiti Mark Ivan Rupnik, është autor i mozaikëve, që stolisin këtë vend kulti.

Leximet liturgjike ishin ato të ditës: i pari kujtonte pjesën e fundit të historisë së shërimit të sakatit tek Porta e Bukur e Tempullit, gjë që kishte shkaktuar shumë zhurmë në Jeruzalem e për të cilën Apostujt Pjetri e Gjoni ishin flakur në burg, ku qortoheshin, kërcënoheshin e urdhëroheshin të mos flisnin më në emër të Jezusit. Por ata kishin vendosur të dëgjonin Zotin, duke dhënë përsëri dëshminë e ngjarjeve, që kishin jetuar me Jezusin, për të cilat ishin dëshmitarë - pohonin - së bashku me Shpirtin Shenjt. Papa Françesku nënvizoi: askush nuk mund të japë dëshmi prej vetes, duhet hiri i Shpirtit Shenjt.

Kush e dëshmon fenë, jeton Lumturinë e persekutimit

Por më pas një burrë me mend, Gamalieli, e bindi sinedrin t’i linte të shkonin në punë të vet, pasi t’i kishin fshikulluar me kamxhik. E Apostujt, vijoi Papa, shkuan të lumtur, sepse qenë gjykuar të denjë për të pësuar poshtërime për shkak të emrit të Krishtit. Françesku pohoi se, duke folur me gjuhën e llogaritarit, në bilanc dëshmitari llogaritet gjithnjë si humbës. Të dëshmosh, do të thotë të humbasësh, jo të fitosh! Dëshmia shkakton vuajtje, persekutim, është e fundmja ndërmjet Lumturive; lum të persekutuarit, lum ju, kur të shpifin kundër jush, duke gënjyer për shkak tim… atëherë, gëzohuni. Persekutimi e vuajtja, pra, janë pjesë e dëshmisë së krishterë. Kushdo mund të mendojë - shtoi Papa - se kjo është përshpirtëri mazokiste, ndërsa në të vërtetë është përshpirtëri e Mbretërisë së Zotit :

“Kur Apostujt e pyesin Jezusin: ‘Po ne lamë gjithçka. Çfarë na pret?’ Do të keni qindfishin e asaj, që latë e, me të, edhe persekutimin, domethënë vuajtjen, dhimbjen, shpifjet. Edhe njerëzit, që nuk e derdhin gjakun, por që jetojnë në heshtje, pa gjykuar, që japin dëshminë e butësisë gjithnjë…. Humbasin!Gjithnjë. Nuk fitojnë kurrë”.

Nuk mund t’u shërbesh dy zotërinjve: Zotit e parasë

Dëshmia e krishterë nuk të siguron fitime - vijoi Françesku:

“Nëse unë ndjek Krishtin për të fituar, ndjek zotin para, zotërinë tjetër, me të cilin nuk mund t’i shërbehet Hyjit, Zotit. O njërit, o tjetrit!”.

I krishteri nuk është arrivist

Duke u ndaluar tek Ungjilli, Papa nënvizoi se pas shumëzimit të bukëve e peshqve, Jezusi nuk e pranon suksesin e tërhiqet përsëri i vetëm mbi mal:

“Udha e krishterë nuk i toleron ata, që duan të kacavaren, të ngjiten sa më lart, të duken, të mbahen me të madh, të ndjekin kotësitë, sepse është udhë për të ndjekur Jezusin. E Jezusi ndiqet gjithnjë në udhën e shërbimit, të dëshmisë, të poshtërimit, të dashamirësisë. E kjo të jep paqe e lumturi”.

Zoja është mjeti për të bërë që të zbresë Jezusi

Së fundi Papa tregoi se i pëlqen të thotë Rruzaren para figures së Zojës. Në kuadër, vijoi të tregojë, të duket se Maria është në qendër, ndërsa, po t’i shikosh mirë duart e Zojës, janë si shkallëz e Foshnja, në qendër, duket sikur zbret. Zoja është mjet për ta bërë Jezusin të zbresë. Qendra është gjithnjë Jezusi, që zbret e Nëna, ajo që e bëri të mundur mrekullinë e zbritjes së Tij, për të qenë një nga ne. Të lutemi për njëri-tjetrin, përfundoi Françesku, që Zoti të na mbushë me hir, për të dhënë dëshminë e vërtetë me forcën e Shpirtit Shenjt, e  edhe me lumturinë e persekutimit ose të poshtërimeve e të shumë provave të tjera, të cilat i pësoi vetë Zoti gjatë jetës së Tij.  








All the contents on this site are copyrighted ©.