2016-04-09 04:00:00

Papa: nuk është lëmoshë e vërtetë ajo, që jepet pa respekt për të varfërin


Sot në Vatikan u mbajt audienca e përgjithshme e jashtëzakonshme, që Ati i Shenjtë Bergoglio e mban një të shtunë në muaj, gjatë gjithë Vitit Jubilar kushtuar Mëshirës. Kësaj radhe morën pjesë edhe anëtarët e Federatës Italiane të të Përjavshmeve Katolike, të cilët ndodhen në Romë për Jubileun e tyre, në 50-vjetorin e themelimit. Të pranishëm, edhe studentët e personeli mjekësor i Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit dhe i Fondacionit Poliklinika Universitare, edhe ata në shtegtim jubilar, me rastin e Ditës së 92-të Universitare, që u kremtua sot në gjithë Italinë.

Gjatë katekizmit, Papa Françesku foli për lëmoshën, duke u bazuar në Ungjillin e ditës. Lëmosha, shpjegoi Ati i Shenjtë Françesku, është fjalë, që rrjedh nga greqishtja, e do të thotë pikërisht “mëshirë”, prandaj mbart në vetvete gjithë pasurinë e mëshirës. E si ajo, mund të shprehet në njëmijë mënyra e rrugë.

Lëmosha është e lashtë sa Bibla. Sakrifica dhe lëmosha ishin dy detyrat e një njeriu me fe. Në Besëlidhjen e Vjetër, Zoti kërkon shpesh kujdes të veçantë për të varfërit, të cilët herë janë ata, që s’kanë asgjë pas shpirtit, herë të huajt, jetimët e vejushat. Madje Shkrimi i Shenjtë nënvizon se kur jep lëmoshë, duhet ta japësh me bujari e pa u trishtuar aspak. Prandaj, theksoi Papa Françesku, bamirësia presupozon gëzimin e brendshëm e nuk është peshë e rëndë. Ati i Shenjtë kujtoi episodin biblik të Tobisë, që i tha të birit t’u jepte lëmoshë të varfërve, të mos ua hiqte sytë, sepse edhe Zoti nuk do t’i hiqte sytë prej tij.

Edhe Jezusi na ka lënë mësime të mëdha për lëmoshën, nënvizoi Ati i Shenjtë. Së pari, na kërkon të mos japim lëmoshë për t’u dukur, që njerëzit të na lavdërojnë, por të ndalemi për ta parë në sy të varfërin. “Nuk duhet ta identifikojmë lëmoshën, thjesht me monedhën që e hedhim shpejt e shpejt, pa e parë personin e pa u ndalur për të folur me të e për të kuptuar se për çfarë ka vërtet nevojë”, këshilloi Papa Françesku. Nga ana tjetër, duhet t’i dallojmë të varfërit nga njerëzit, që e kanë kthyer lypjen në profesion, sepse këta u bëjnë keq nevojtarëve të vërtetë. “Pra – theksoi Papa – lëmosha është gjest dashurie për ata, që takojmë udhës; është gjest vëmendjeje të sinqertë për atë që na afrohet e na kërkon ndihmë, gjest i bërë në fshehtësi, aty ku vetëm Zoti sheh dhe kupton vlerën e veprës së kryer”. Të bindur se, ashtu siç thotë Shën Pali Apostull, “është më i Lum ai, që jep, se sa ai, që merr”.








All the contents on this site are copyrighted ©.