2016-04-08 14:30:00

Papa: një vepër mëshire është si përqafim i Zotit


Vijnë çdo vit tek Papa,  të cilit i shërbejnë si ambasadorë të solidaritetit konkret, duke nisur nga furnizimi me ushqim për të uriturit e një fshati të Ukrainës, ose për një grup refugjatësh sirianë në Liban, e deri tek ndërtimi i një shkolle në Burkina Faso ose i një shtëpie për fëmijët e fshatarëve të Hondurasit. Çojnë përpara me qindra projekte, anëtarët e Papal Foundation, që kanë shpenzuar një shumë prej 110 milionë dollarësh, qysh nga themelimi, në vitin 1990, me nismën e Gjon Palit II,.

Fryma e bujarisë

Duke u takuar në Sallën Klementine me Papal Foundation, me rastin e shtegtimit të përvitshëm në Vatikan, Françesku i shprehu vlerësimin për ndihmën bujare  në mbështetje të shërbesës së tij e në ndihmë të Kishës dhe të Botës. Sivjet  shtegtimi juaj – kujtoi Papa - organizohet në kuadrin e Vitit Jubilar, gjatë të cilit kundrojmë misterin e mëshirës, burim gëzimi, qetësie, paqeje, nga i cili varet edhe shëlbimi ynë:

“Jemi të thirrur nga Krishti ta jetojmë këtë mëshirë me ata që kanë nevoja  shpirtërore e materiale, përmes veprave trupore e shpirtërore të mëshirës, me atë frymë bujarie e dhembshurie, që pasqyron mirësinë e pacak të Zotit”.

Mëshirë e gëzim

Më pas Ati i Shenjtë kujtoi, shkurtimisht, misionin e Papal Foundation, zemra e të cilit janë veprat e mëshirës: ndihmesa e dioqezave, famullive, bursat e studimit, mbështetja e nevojtarëve… Kështu, kujtoi Ati i Shenjtë, dashuria juaj e krishterë rrezaton në botë, duke e shtrirë edhe më shumë përqafimin e mëshirshëm të Atit.

Në përfundim Papa i uroi anëtarët e Papal Foundation që këto ditë shtegtimi të jenë ftesë e fortë për shenjtëri dhe përvojë e thellë takimi me Mëshirën Hyjnore:

“Uroj që Ati qiellor t’ju ndihmojë në veprat tuaja të mira, por sidomos, t’ju prijë kah një fe e një përvojë gjithnjë më e thellë e dashurisë së tij të pacak”.

Ky, urimi i fundit i Papës, që i siguroi të pranishmit se do t’i shoqërojë me lutje e bekime.








All the contents on this site are copyrighted ©.