2016-04-07 09:30:00

Shqiptarët e Italisë: 25 vjet integrim


Ambasada e Italisë, në bashkëpunim me Kompleksin muzeal të Dioskurëve në Quirinale, me Institutin “Luce” dhe me shoqatën “GUS – Grupi i Solidaritetit Njerëzor”, si edhe me partneritetin e mediave “Shqiptari i Italisë” dhe “AlbaniaNews”, organizon takimin “Shqiptarët e Italisë: 25 vjet integrim”, të premten, më 8 prill, në orën 17.30, në rrugën Piacenza 1.

Ishte mars i vitit 1991, kur disa anije - ndër të cilat më e famshmja, anija Vlora, ka mbetur në memorien kolektive – hynin në portin e Brindizit, duke shënuar fillimin e emigracionit shqiptar drejt Italisë. Sot, 25 vjet pas, shqiptarët që jetojnë në Itali kanë arritur shifrën 500 mijë vetë dhe gjysma e tyre është më pak se 30 vjeç. Dhjetra mijëra marrin çdo vit nënshtetësinë italiane, ndërsa mëse 10 mijë shqiptarë studiojnë në universitetet italiane. Është numri më i lartë ndër emigrantët, që vijnë nga vende, të cilat nuk bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian.

Ambasada e Shqipërisë dëshiron të hapë një dritare reflektimi dhe konfrontimi për këto 25 vjet emigracioni në Itali, tani që qytetarët shqiptarë ndjehen gjithnjë e më shumë evropianë, pasi vendi është kandidat për integrimin në Bashkimin Evropian dhe pret hapjen e bisedimeve për këtë qëllim. Cikli i veprimtarive për këtë përvjetor të rëndësishëm fillon pikërisht me takimin e 8 prillit në Kompleksin Muzeal të Dioskurëve në Quirinale.

Pas përshëndetjeve të së Ngarkuarës me Punë të Ambasadës së Shqipërisë në Itali, Vera Cara dhe të përgjegjësit të Kompleksit Muzeal, Rosario Sprovieri, do të debatojnë për argumentin regjizori dhe gazetari Roland Sejko, fitues i Davidit të Donatelos për dokumentarin “Anija”; studiuesi Rando Devole, një nga themeluesit e revistës kulturore on line “Peizazhe të fjalës”; prefekti Riccardo Compagnucci, këshilltar në Komisionin e të Drejtave të Njeriut në Senatin Italian dhe koordinatori kombëtar i organizatës “GUS – Grupi i Solidaritetit Njerëzor”, Giovanni Lattanzi. Pas debatit, do të shfaqet dokumentari “Anija” i Roland Sejkos.








All the contents on this site are copyrighted ©.