2016-04-07 13:00:00

Papa: shenjtorët e përditshëm dhe martirët e çojnë Kishën përpara


Janë shenjtorët, që jetojnë ditë për ditë shenjtërisht dhe martirët e sotëm ata, që e çojnë përpara Kishën me qëndrimin e tyre të palëkundur, si dëshmitarë të guximshëm të Krishtit të Ngjallur, falë veprës së Shpirtit Shenjt. Me këto fjalë mund ta përmbledhim homelinë e Meshës së mëngjesit, kryesuar nga Papa Françesku në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës.

I krishteri e vë në lojë jetën për dëshmimin e vërtetë të fesë

Leximi i parë, shkëputur nga Veprat e Apostujve, flet për guximin e Pjetrit që, pas shërimit të sakatit, e kumton ngjalljen e Jezusit para krerëve të Sinedrit. Këta, të tërbuar, duan t’ia marrin jetën. Ia kishin ndaluar të predikonte në emër të Jezusit, po ai vijonte ta shpallte Ungjillin sepse - thoshte – “duhet dëgjuar më parë Zoti, sesa njerëzit”. Ky Pjetër plot me guxim - pohoi Papa - nuk ka të bëjë fare me atë Pjetrin burracak të natës tragjike të së Enjtes së Madhe që, i trembur për vdekje, e mohoi tri herë Zotin. Tani Pjetri është bërë burrë i fortë, i aftë për të dhënë dëshminë më të lartë. E dëshmia e krishterë - vëren Papa - ecën në të njëjtën udhë, ku eci Jezusi. Udhë, që përfundon me dhurimin e jetës. Në një mënyrë a në një tjetër, i krishteri  duhet ta dëshmojë fenë, duke e vënë në lojë gjithë jetën:

“Koherenca ndërmjet jetës e asaj, që pamë e dëgjuam, është pikërisht fillesa e dëshmisë. Po dëshmia e krishterë ka edhe një gjë tjetër, nuk është vetëm e atij, që e jep: dëshmia e krishterë është gjithnjë e dy vetëve. ‘E për këto fakte jemi dëshmitarë ne e Shpirti Shenjt’- pohojnë Apostujt. Pa Shpirtin Shenjt nuk mund të ketë as dëshmi të krishterë. Sepse dëshmia e krishterë, jeta e krishterë, është hir, është hir, që Zoti na e jep me Shpirtin Shenjt".

Martirët e sotëm

Pa Shpirtin Shenjt - nënvizoi Papa - nuk mund të jemi dëshmitarë. Dëshmitar quhet ai, që është koherent me atë që thotë, me atë që bën  e atë, që ka marrë, me Shpirtin Shenjt. Ky është guximi i krishterë. Kjo, dëshmia:

“Është dëshmia e martirëve tanë të sotëm, shumë nga të cilët, të dëbuar nga vatrat, të shpërngulur, të persekutuar: e kanë atë guxim që ta dëshmojnë Jezusin deri në çastin e vdekjes! Është dëshmia e atyre të krishterëve, që e jetojnë seriozisht jetën e tyre e thonë: ‘Unë nuk mund ta bëj këtë, nuk mund t’i bëj keq tjetrit; nuk mund të mashtroj, nuk mund të jetoj me dy fytyra, unë duhet ta jap dëshminë time’. E dëshmia është të thuash atë që ke parë e ke dëgjuar në fe, domethënë Jezusin e Ngjallur, me Shpirtin Shenjt,  që e more si dhuratë”

Shenjtorët e përditshëm

Në çaste të vështira të historisë - komentoi Papa - thuhet shpesh se “Atdheu ka nevojë për heronj”. E kjo është e vërtetë. Është e drejtë. Po Kisha, për çfarë ka nevojë sot Kisha? Për dëshmitarë, për martirë:

“Janë pikërisht dëshmitarët, domethënë shenjtorët, shenjtorët e përditshëm, ata të jetës së zakonshme, por koherente, e edhe  dëshmitarët deri në fund të fundit, deri në vdekje. Këta janë gjaku i gjallë i Kishës; këta, që e çojnë Kishën përpara, dëshmitarët; këta, që dëshmojnë se Jezusi u ngjall, se Jezusi është i gjallë, dhe e dëshmojnë me koherencën e jetës e me Shpirtin Shenjt, që e morën si dhuratë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.