2016-04-07 13:27:00

Françesku, metodistëve: dëshmi e përbashkët, pavarësisht nga ndryshimet


Papa Françesku u takua sot me një delegacion të Këshillit Metodist Botëror, në përfaqësi edhe të Këshillit Metodist Evropian dhe të Kishës Metodiste Britanike. Ati i Shenjtë përmendi me kënaqësi hapjen e Zyrës Ekumenike Metodiste në Romë, e cila, nënvizoi, është shenjë e intensifikimit të marrëdhënieve dhe e dëshirës së përbashkët për kapërcimin e pengesave në udhën drejt bashkimit të plotë të të krishterëve.

Dialog i bazuar në respekt e vëllazërim

         “Kanë kaluar gati 50 vjet – vuri në dukje Papa – që kur Komisioni ynë i përbashkët teologjik pati filluar punimet. Pavarësisht nga dallimet që mbeten, dialogu ynë, që bazohet në respektin dhe vëllazërinë, i pasuron të dyja bashkësitë. Dokumenti, aktualisht në fazën përgatitore, që duhet të botohet brenda vitit, është shembull i qartë për këtë. Duke u nisur nga pranimi i Deklaratës së përbashkët për doktrinën e justifikimit apo të shpërblimit, nga ana e metodistëve, ai ka për temë “Thirrjen për shenjtëri”. Katolikët dhe metodistët kanë shumë ç’të mësojnë nga njëri-tjetri përsa i përket shenjtërisë e mënyrës për ta jetuar atë. Të gjithë duhet të bëjmë ç’të mundim që anëtarët e famullive tona të takohen rregullisht, të njihen përmes shkëmbimeve interesante dhe ta inkurajojnë njëri-tjetrin në udhën e kërkimit të Zotit e të hireve të Tij. Pra – këshillon më tej Françesku – ta lexojmë Shkrimin Shenjt, vetëm ose në grup, por gjithnjë në atmosferë lutjeje, t’ia hapim zemrën dashurisë së Atit, që na dhurohet përmes Birit e në Shpirtin Shenjt. Edhe aty ku akoma ka kundërshti ndërmjet bashkësive tona, ato duhet e mund të bëhen nxitje për reflektim e dialog”.

Dallimet nuk mund të na pengojnë në dëshminë e përbashkët për Krishtin

         John Wesley (Xhon Uizli), përmendi Ati i Shenjtë themeluesin e metodizmit, në “Letrën për një katolik romak”, shkruante se katolikët dhe metodistët duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin për çdo gjë, që çon drejt Mbretërisë së Hyjit. Nuk mendojmë njëlloj për shumë gjëra, por mund të duam njëlloj, vijonte letra. Papa vuri në dukje ndryshimet përsa u përket shërbimeve nga njerëz të shuguruar dhe etikës, por nënvizoi se këto dallime nuk i pengojnë të krishterët, pavarësisht nga konfesioni të cilit i përkasin, ta dëshmojnë njëlloj e së bashku dashurinë për Krishtin në botë. “Kur u shërbejmë së bashku nevojtarëve – theksoi Ati i Shenjtë – shtohet bashkimi ndërmjet nesh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.