2016-04-06 13:44:00

Siri: u gjetën reliket e Mar Elian në shenjtëroren e shkatërruar nga Isis


Në Qaryatayn, qyteti sirian i kthyer prej pak kohësh në duart e ushtrisë, xhihadistët e të ashtuquajturit Shtet Islamik (Daesh) u larguan duke lënë pas rrënojat e shenjtërores së Mar Elian (shën Juliani i Emesës), ku, që në ditët e para të pushtimit, në gusht 2015, patën përdhosur brutalisht varrin e shenjtit, për të zhdukur atë, që edhe në sytë e tyre, dukej zemra e kompleksit murgar. Por reliket e Mar Elian, hedhur andje-këndej përreth varrit, njofton Agjencia Fides, nuk kanë humbur: mund të mblidhen sërish në vendin e tyre, në mënyrë që të vijojë devocioni i të krishterëve të rajonit.

Lajmi konfirmohet nga atë Jacques Murad

Lajmi i gjetjes së eshtrave konfirmohet me entuziazëm dhe me mallëngjim nga atë Jacques Murad, eprori i bashkësisë murgare, degë e manastirit të Deir Mar Musa al Abashi, që gjatë viteve të fundit e pati çuar drejt lulëzimit shenjtëroren e lashtë të shekullit V, në periferi të Qaryatayn. Atë Jacques Murad ka qenë edhe vetë peng i një grupi xhihadistësh, që më 21 maj 2015 pati sulmuar shenjtëroren. U lirua më 11 tetor të vitit të kaluar, pas pesë muajsh.

Atë Murad: që reliket s’kanë humbur është shenjë e madhe

“Para ngjarjeve që ndodhën e po ndodhin”, nënvizon atë Murad, “preferoj të hesht, sepse sot, pikërisht heshtja më duket fjala më e drejtë dhe më e përshtatshme”. Pastaj, me pak fjalë të thjeshta, shpreh fenë me të cilën ai dhe sivëllezërit përjetojnë këtë kohë problematike. “Që reliket e Mar Elian nuk humbën, për mua është shenjë e madhe: do të thotë se ai nuk deshi të largohet nga manastiri e nga kjo tokë shenjte. E dimë se shenjtorët janë në qiell e ne mund t’u lutemi e t’u kërkojmë ndihmë. Më kujtohet se më 9 shtator, në ditën e përkujtimit liturgjik të Mar Elian, pata kremtuar meshën në Qaryatayn, nën pushtetin e Daesh-it. U pata thënë të krishterëve: shkatërrimi i manastirit dhe i varrit nuk është i rëndësishëm. Rëndësi ka që ta mbani Mar Elianin në zemrat tuaja, kudo të shkoni, edhe në Kanada apo në Evropë, sepse shenjti dëshiron të rrijë me besimtarët e vet.

Atë Mourad i njohu reliket e shenjtit

Atë Murad tregon për agjencinë Fides se i patën dërguar fotografitë e eshtrave të gjetura përreth varrit të shkatërruar. Gjatë viteve të kaluara, edhe ai vetë i kishte shqyrtuar mirë reliket, prandaj, me t’i parë, i njohu nga shenja të qarta, si pjesët e lëkurës së mumifikuar, që akoma mbulojnë njërën dorë dhe këmbët”.

Reliket do të mblidhen e do të dërgohen në Homs

Sot (e mërkurë), një meshtar nga kryeeparkia siro-katolike e Homsit, së bashku me disa murgj të Deir Mar Musa, shkuan për të verifikuar gjendjen e shenjtërores. Atë Murad u kërkoi t’i mbledhin reliket e Mar Elian dhe t’i çojnë në Homs për t’i ruajtur. Kjo, sepse shenjtërorja e vjetër është bërë rrafsh me tokën, parku arkeologjik është shkatërruar krejtësisht, ndërsa kisha e re dhe manastiri janë rrënuar pjesërisht nga zjarri e pjesërisht nga bombardimet. “Kur të kthehemi në të ardhmen në Mar Elian – sqaron atë Jacques Murad – do t’i vendosim reliket e shenjtit aty ku ishin. Përreth përkujtimit të shenjtorëve do të lulëzojë një jetë e re hiri. E do të jetë shenjë e madhe bekimi për gjithë Kishën tonë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.