2016-04-06 14:09:00

Siri: në Sadad kthehen të krishterët e shpërngulur në Evropë


Në qytetin sirian të Sadadit kthehen familjet e para të krishtera, që u shpërngulën në Evropë për të ikur nga dhuna e konflikti në vijim. Lajmin e jep për mediat ruse, kryebashkiaku Suleiman al Khalil. “Të krishterët, që u larguan nga Siria për në Evropë po fillojnë të kthehen në Sadad dhe në qytete të tjera”, pohon Khalil, duke shtuar se kthimi është rezultat e suksesit të operacioneve ushtarake me mbështetjen e Rusisë dhe i armëpushimit, për të cilin u morën vesh palët në Mynih të Gjermanisë, më 12 shkurt.

Në Sadad janë kryer masakra. Ka varre të përbashkëta

Para konfliktit, Sadadi kishte rreth 12 mijë banorë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin të krishterë asirë dhe siro-ortodoksë. Gjatë viteve të luftës, së paku njëmijë vetë ikën jashtë Sirisë, përfshirë kryepeshkopin Selwanos Boutros Alnemeh, mitropolit siro-ortodoks i Homsit dhe i Hama-s. Sipas burimeve kishtare lokale, në tetor 2003, gjatë pushtimit të përkohshëm të qytetit nga ana e xhihadistëve të al Nusrës, janë kryer masakra kundër popullsisë civile, konfirmuar nga gjetja e një varri të përbashkët me së paku 30 kufoma. Nëntorin e kaluar, edhe xhihadistët e të ashtuquajturit Shtet Islamik (Daesh) provuan ta merrnin sërish në dorë qytetin, duke sulmuar postoblloqet e ushtrisë siriane.

Kthimi i të krishterëve

Gjatë tre muajve të fundit, sipas kryebashkiakut, së paku njëqind të krishterë janë kthyer në shtëpitë e tyre në Sadad dhe pritet të vijnë edhe dyqind të tjerë. Qyteti ndodhet 14 km larg nga rruga që bashkon Damaskun me Homsin dhe në të ndodhen 15 kisha.








All the contents on this site are copyrighted ©.