2016-04-06 14:45:00

Konferencë shtypi në selinë e ipeshkvit të Kosovës për disa ngjarje të rëndësishme kishtare e kombëtare


Konferencë shtypi, dje, pranë selisë së ipeshkvit të Kosovës në Prishtinë për disa ngjarje të rëndësishme kishtare e kombëtare. Më hollësisht të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt....

Lajmi se Papa Françesku ka emëruar don Rrok Gjonlleshajn kryeipeshkëv të Arqipeshkëvisë së Tivarit në Republikën e Malit te Zi, ka gëzuar pa masë Kishën Katolike të Kosovës.  “Është lajm i bukur për Kishën tonë në Kosovë që na gëzon të gjithëve. Don Rroku është prifti i dytë nga Kosova që zgjidhet në selinë e Argjipeshkvisë së Tivarit, pas Imzot Zef Gashit, tash në pension. Kisha Katolike e Kosovës i dëshiron hire dhe bekime në shërbimin e tij baritor në Kishën e Tivarit”,  është thënë me 5 prill  në një konferencë me gazetarë në Rezidencën e Ipeshkvit të Kosovës në Prishtinë, të drejtuar nga Shkëlqesia e tij Imzot Dodë Gjergji.

Në këtë konference gjithashtu është bërë e ditur se me 3 shtator, një ditë para se të Shenjtërohet nga Papa Françesku, e madhja e kombit, e Lumja Nënë Terezë, në sallën e Palit VI në Vatikan, do të interpretohet Himni i Nenës Terezë, shkëputur nga një poezi, sipas disave, e shkruar nga vetë ajo me titull “Lamtumirë”. kompozuar nga Lorenc Antonit, e interpretuar nga sopranoja me famë botërore, Inva Mula. U tha se Himni do të këndohet në gjuhën shqipe, e bashkë me të edhe një pjesë nga koncerti i mbajtur në shtatorin e vitit të kaluar në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë.

Vikari i Kishës katolike të Kosovës, don Lush Gjergji, rikujtoi para gazetarëve se Papa Françesku më 15 mars të këtij viti e ka nënshkruar dekretin me të cilin përfundimisht caktoi  4 shtatorin e këtij viti, datë të Shenjtërimit të Nënë Terezës. “Ky eshët nja shkas që ne si Kishe Katolike e popullit shqiptar në Kosovë, dëshirojmë te organizojmë shtegtimin e mrekullisë së Zotit që po ia fal popullit shqiptar dhe mbarë njerëzimit me Shenjtërimin e të Lumes Nënë Terezë” tha don Lushi. Gjithashtu ai tha se është lajm i gëzueshëm qe Selia e Shenjte ka pranuar kërkesën dhe propozimin qe ka bërë Imzot Dodë Gjergji, që një pjesë e koncertit që e kishim vitin e kaluar më 

5 shtator, e sidomos Himni i Bamirësisë kushtuar Nobelistës së Paqes, Nënës Terezë të interpretohet në Romë dhe publiku botëror ti përjetojë vargjet e shkruara nga vetë Nëna Terezë Gonxhe Bojaxhiu.

Për gazetaren Diana Toska, njëherit ideatore e koncertit të vitit të kaluar, kjo ngjarje  jo vetëm që është historike por është  edhe  e papërsëritshme sidomos për popullin shqiptar. Ndërsa don Viktor Sopi njoftoi se aplikimi i të interesuarve për këtë shtegtim të shenjtë në Romë  do të bëhet  në formën online. 

Nga Prishtina Rabie-Mrika Ibraj








All the contents on this site are copyrighted ©.