2016-04-06 17:08:00

Kardinali Parolin: në lindjen e fëmijëve, të respektohet dinjiteti i gruas


Kardinali Parolin mori pjesë sot në përurimin e Laboratorit të ri të Institutit Shkencor Ndërkombëtar Pali VI të kërkimeve shkencore në fushën e fertilitetit e të infertilitetit të njeriut, për lindjen me përgjegjësi të fëmijëve. Me këtë rast, Sekretari i Shtetit të Vatikanit pati rastin ta shikojë duke funksionuar ekografin e dhuruar nga Papa Françesku, që flet qartë për vëmendjen, me të cilën e ndjek veprimtarinë e Institutit.

Struktura, realizuar prej 15 vjetësh - nënvizoi kardinali Parolin - është përgjigje konkrete, dhënë thirrjes së të Lumit Pali VI, drejtuar njerëzve të shkencës, për t’i sqaruar më thellësisht kushtet e ndryshme  favorizuese për rregullimin e ndershëm të lindjes së fëmijëve (Letra enciklike Humanae Vitae). Kujtoi edhe Benediktin XVI, që e quajti Institutin “shembull kuptimplotë të kësaj sinteze ndërmjet së vërtetës e dashurisë,  qendrën jetike e kulturës katolike” (Fjalim me rastin e përurimit të Vitit Akademik të Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, 25 nëntor 2005).

Pjesëmarrja, kohët e fundit, e Institutit në Kongresin Botëror të Endocrinologjisë “ENDO 2016”, zhvilluar në Boston nga 1 deri më 4 prill, shtoi, dëshmon se cilësia e kërkimit shkencor, që zhvillohet në këtë Institut, njihet nga mbarë bashkësia shkencore ndërkombëtare.

Së fundi, sekretari i Shtetit të Vatikanit përshëndeti familjet e pranishme në përurim,  duke kujtuar, përmes tyre, gjithë çiftet, të cilat i besojnë Institutit, për ta parë të kurorëzuar dëshirën e tyre të amësisë e të atësisë. Fakti që i drejtohen kësaj qendre – përfundoi – përveçse përgjigje, që i jepet instancave me natyrë moralo-fetare, është edhe zgjedhje e përshtatshme për përdorimin e teknikave dhe metodave shumë të vlefshme shekencore, që respektojnë dinjitetin e gruas. Instituti Shkencor Ndërkombëtar Pali VI është në shërbim të të gjithëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.