2016-04-05 14:17:00

Papa bën Kalorës ish-drejtorin administrativ të Radio Vatikanit


Papa Françesku priti dje pasdite, në Shtëpinë e Shën Martës, ish-drejtorin administrativ të Radio Vatikanit, Alberto Gasbarri dhe familjen. Kujtojmë se dr. Gasbarri, para se të dilte në pension më 1 mars, ka qenë edhe organizator i udhëtimeve papnore e qe pikërisht ai, që organizoi edhe udhëtimin e Papës Françesku në Shqipëri. Ati i Shenjtë e nderoi atë me Medaljen e Kalorësit të Kryqit të Madh të Urdhërit të Pjesëmarrësve. Të pranishëm, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kardinajtë Filoni, Re, Bertello dhe Stella, imzot Piero Marini, prof. Navarro-Valls, Prefekti i Shtëpisë Papnore, imzot Genshvajn, së bashku me murgeshat Memores Domini, që i shërbejnë Benediktit XVI, si edhe kolegët e organizimit të udhëtimeve papnore.

         Fjalën e rastit e mbajti Zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit, imzot Angelo Becciu. “Punë impenjuese dhe bindëse”, “e cila e ka bërë të vizitojë vende të shumta”, gjithnjë duke i shërbyer Kishës, Papës dhe Selisë së Shenjtë me “maturi, kujdes” dhe “dashuri”. Kështu e përvijoi imzot Becciu shërbimin e jashtëzakonshëm të Alberto Gasbarrit, i cili, që nga viti 1982 e deri në vitin 2016, pra për tri papni rresht, është marrë me organizimin e udhëtimeve papnore jashtë Italisë. Medalja, nënvizoi imzot Becciu, është njohje e besnikërisë dhe e profesionalitetit të treguar gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve. Urdhëri i Pjesëmarrësve, themeluar nga Papa Piu IX në vitin 1847, është aktualisht Urdhëri i parë kalorësiak, që u jep Selia e Shenjtë njerëzve, që marrin pjesë aktivisht në jetën e Papës, duke u dalluar në këtë shërbim.








All the contents on this site are copyrighted ©.