Në 11 vjetorin e kalimit në Amshim të Papës Shën Gjon Palit II, po i kujtojmë
çastet kryesore, nga thirrja e popullit të Zotit “Wojtila Shenjt, menjëherë”, në ditën
e funeralit të tij në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan më 8 prill 2005, deri tek
nënshkrimi përfundimtar i çështjes kanonike, që e lartoi Gjon Palin II në nderimet
e altarit më 27 prill 2014.
“Shenjt, menjëherë”, shkruhej në parrullat, që shpalosën besimtarët në Rrugën romake
të Pajtimit, përballë Bazilikës së Shën Pjetrit, më 8 prill 2005, kur një turmë vigane
merrte pjesë në salikimet e Gjon Palit II, në shekull, Karol Wojtila. Populli katolik
e shikonte si njeri të shenjtë e dëshironte që edhe Kisha ta shpallte shenjt.
Shenjtëria e Tij Gjon Pali II ndërroi jetë më 2 prill 2005, në orën 21. 37
minuta, në apartamentin e tij në Vatikan, në moshën 84 vjeçare, në vitin
e 26-të të papnisë, i përforcuar me të gjitha ngushëllimet e fesë. Vdiq pasi vuajti
për një kohë të gjatë nga një mori sëmundjesh, shkaktuar prej plumbit, që u nis drejt
tij nga arma e Ali Agçait, më 13 maj të vitit 1981. Ndërmjet tyre, sëmundja e Parkinsonit.
Pasi u dha lajmi për vdekjen e Papës Wojtilla, në Sheshin e Shën Pjetrit, në shenjë
mirënjohjeje, shpërtheu një duartrokitje e stuhishme, e pasuar nga një heshtje e thellë,
surreale, ndërprerë nga dënesët e besimtarëve, të cilët shtrënguan njëri-tjetrin në
një përqafim prekës. Pastaj të gjitha kambanat e Kishave të Romës ranë përnjëherësh
përmortshëm, për t’i dhënë lamtumirën Kryebariut të Kishës Katolike Universale, ndërsa
besimtarët u gjunjëzuan dhe nisën lutjen për pushimin e pasosur të të vdekurit. Gjithë
natën Sheshi i Shën Pjetrit ishte plot me njerëz të përlotur. Prelatët u drejtuan
ftesën të vijojnë lutjen në heshtje, për ta shoqëruar kështu Papën në hapat e para
drejt qiellit.
Gjon Pali II (latinisht Ioannes Paulus II), në shekull Karol Wojtila (Karol
Józef Wojtyla), lindi në Wadovice (Në Poloni, dioqeza e Krakovit) më 18 maj të vitit
1920.
I shuguruar meshtar më 1 nëntor 1946; ipeshkëv më 28 shtator 1958, më 26 qershor 1967
u emërua Kardinal nga Papa Pali VI.
I zgjedhur papë më 16 tetor 1978, po mbushte 27 vjet papnie, e treta për gjatësi në
historinë e Kishës.
Duke nisur që nga data e vdekjes e për nëntë ditë me radhë u kremtuan salikimet për
pushimin e Tij të pasosur.
Filluan menjëherë të gjitha procedurat e parashikuara në Kushtetutën apostolike “Universi
Dominici gregis”, shpallur nga Gjon Pali II më 22 shkurt 1996.
Sipas Kushtetutës Apostolike “Universi Dominici Gregis” (Grigja Universale e Zotit),
Konklavi për zgjedhjen e papës pasardhës, do të fillonte brenda 20 ditëve, pas vdekjes
së Gjon Palit II.
Kardinali Angelo Sodano, asokohe sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kremtoi
në Vatikan Meshën parë të nëntëditshit për shpirtin e Papës, e pikërisht në solemnitetin
e Mëshirës Hyjnore.
Trupi i Gjon Palit II u vendos në Bazilikën e Vatikanit për homazhet e besimtarëve
duke nisur nga dita e hënë, 4 prill, pasdite.
Që aso kohe, tek Lumnimi, kaluan vetëm 6 vjet. Kohë rekord, përjashtim nga ligji i
Kishës, mbi bazën e të cilit duhet të kalojnë pesë vjet pas vdekjes së Shërbëtorit
të Zotit, që të nisë procesi, i cili mund ta çojë në nderimet e altarit.
E që aso kohe, tek shenjtërimi, sot, më 27 prill 2014, vetëm 9 vjet.
Më 14 janar 2011, Papa Benedikti XVI nënshkroi Dekretin e Lumnimit: Gjon Pali II u
shpall i Lum më 1 maj 2011. Kremtimi u mbajt në Vatikan, i kryesuar nga Benedikti
XVI. Ishte e Diela e Mëshirës Hyjnore, e lidhur fort me shenjtoren polake Faustina
Kovalska, që të dyja tejet të dashura për Papën Wojtila e për mbarë popullin polak.
Sigurisht ky lajm, që mori menjëherë dhenë, e vuri edhe një herë në qendër të vëmendjes
Papën Wojtila, që arriti në cakun e lumnimit pas njohjes së një mrekullie, bërë me
ndërmjetësimin e tij, pak ditë pas vdekjes. Është fjala për shërimin e një murgeshe
franceze nga sëmundja e Parkinsonit.
Përfundoi, kështu, pjesa më e rëndësishme e procesit të Lumnimit, që filloi pa pritur
të kalonin pesë vjetë nga vdekja, siç kërkojnë normat kanonike, sepse Benedikti XVI
nuk i respektoi këto norma, ashtu siç kishte bërë edhe Paraardhësi i tij, kur ishte
fjala për lumnimin e Nënë Terezës, Themeluese e Misionareve të Dashurisë, vdekur më
1997, lumnuar më 19 tetor 2003. E këtë – shpjegon Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve
- e bëri, duke u nisur nga fama e jashtëzakonshme e shenjtërisë, që gëzonte Papa Wojtila
sa ishte gjallë, kur po vdiste e pas vdekjes. Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve
shpjegoi se Çështja e lumnimit të Papës Gjon Pali II pati dy lehtësi. E para kishte
të bënte me miratimin papnor për të mos pritur pesë vjet; e dyta, me përjashtimin
e rastit nga lista e pritjes. Por, pavarësisht nga këto, të gjitha procedurat u kryen
me seriozitet e kujdes të jashtëzakonshëm, pa asnjë lëshim. Çështja u trajtua njëlloj
si të tjerat, duke ecur hap pas hapi, sipas normave kanonike të Kongregatës përkatëse.
Madje duhet shtuar se pikërisht për ta nderuar më shumë kujtimin e këtij Pape të madh,
Çështja u shqyrtua edhe më imtësisht, që të shmangej çdo dyshim e të kapërcehej çdo
vështirësi, që mund të dilte më pas.
Më 14 janar 2011, pra, Papa Benedikti XVI, pasi priti në audiencë kardinalin Angelo
Amato, prefekt i Kongregatës, autorizoi dikasterin të shpallte dekretin për mrekullinë
e kryer me ndërmjetësinë e Shërbëtorit të Nderuar të Hyjit, Gjon Palit II (Karol Wojtila).
Faza dioqezane e Lumnimit zgjati nga qershori i vitit 2005, deri në prillin e vitit
2007. Gjatë kësaj faze, u mblodhën dëshmi për jetën, virtytet, famën e shenjtërisë
e mrekullitë e Gjon Palit II, duke u nisur nga dioqeza e Romës, për të vijuar edhe
në dioqeza të tjera.
Me dekretin e 4 majit 2007, Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve njohu vlefshmërinë
juridike të proceseve kanonike.
Në qershor 2009, si u shqyrtua Positio, apo dëshmia e arsyetuar e virtyteve, nëntë
këshilltarë teologë të dikasterit, dhanë mendimin e tyre pozitiv lidhur me virtytet
heroike të Shërbëtorit të Zotit.
Një vit më pas, në muajin nëntor, duke ndjekur procedurën e zakonshme, e njëjta Positio
iu nënshtrua gjykimit të kardinajve dhe të ipeshkvijve të Kongregatës për Çështjet
e Shenjtorëve, që morën vendimin përfundimtar.
Më 19 dhjetor 2009 Papa Benedikti XVI autorizoi shpalljen e dekretit mbi virtytet
heroike e mbi mrekullinë, që postulacioni e kishte paraqitur për shqyrtim në Kongregatën
për Çështjet e Shenjtorëve. Është fjala për murgeshën franceze, Mari Simon Pierre,
rregulltare e Institutit të motrave të vogla të nënave katolike, që u shërua mrekullisht
nga sëmundja e Parkinsonit.
Më 21 tetor 2010, aktet e hetimit kanonik, kryer në përkim me të gjitha rregullat,
si dhe ekspertizat e mjekësisë ligjore, iu nënshtruan shqyrtimit shkencor nga ana
e Konsultës Mjekësore të Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve. Pasi i studiuan me
vëmendjen më të madhe dëshmitë e procesit dhe gjithë dokumentacionin, mjekët pranuan
se ishte fjala për një shërim, që nuk mund të shpjegohej shkencërisht.
Më 14 dhjetor 2010, pasi u njohën me përfundimet e mjekëve, Këshilltarët teologë vijuan
veprimtarinë me vlerësimin teologjik të rastit dhe, njëzëri, pranuan se mrekullia
ishte kryer me ndërmjetësinë e Shërbëtorit të Zotit, Gjon Palit II.
Më 11 janar 2011, u mbajt sesioni i zakonshëm i kardinajve dhe i ipeshkvijve të Kongregatës
për Çështjet e Shenjtorëve, gjatë të cilit u mor, pa asnjë kundërshtim, vendimi përfundimtar:
shërimi i rregulltares Mari Simon Pierre, shkencërisht i pashpjegueshëm, është vepër
e kryer nga vetë Zoti, me ndërmjetësimin e Gjon Palit II, të cilit i qenë lutur plot
besim, si murgesha e shëruar, ashtu edhe shumë besimtarë të tjerë.
Më 27 prill 2014, Gjon Pali II shpallet shenjt nga Papa Françesku.
All the contents on this site are copyrighted ©. |