2016-04-01 11:38:00

Vdiq kardinali Cottier, burrë i mirë, me fe të fortë


Ndërroi jetë dje, në Poliklinikën Gemelli, në moshën 93 vjeçare, kardinali Georges Marie Martin Cottier, domenikan, teolog nderi i Shtëpisë Papnore. Papa Françesku, në telegramin e  ngushëllimit, pohon se e kujton me mirënjohje të thellë për fenë e tij të fortë, butësinë atërore dhe veprimtarinë e palodhur kulturore e kishtare, zhvilluar përkrah Gjon Palit II dhe Benediktit XVI.

Mesha e dritës për shpirt të kardinalit zviceran do të kremtohet nesër, në orën 8.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit, kryesuar nga kardinali Angelo Sodano. Sipas traditës, në përfundim të kremtimit, Papa Françesku do të kryesojë ritin e Porosive të fundme (Ultima Commendatio) e të Lamtumirës (Valedictio). 

Prelati i lartë zviceran lindi më 25 prill 1922, në Carouge, provincë e Gjenevës ku, më 1944, u diplomua në letërsi klasike. Më pas, si zgjodhi rrugën e jetës rregulltare në Urdhërin Domenikan, kreu, në Romë, studimet e filozofisë e të teologjisë. Në vitin 1951 u shugurua meshtar. Më 1990 Gjon Pali II e emëroi teolog i Shtëpisë Papnore. Anëtar i shumë institucioneve vatikanase, u shugurua ipeshkëv më 7 tetor 2003. Në Koncistorin, që u mbajt një ditë më pas, Papa Wojtyla e krijoi kardinal.

Me vdekjen e  kardinalit Cottier, Kolegji Kardinalor ka 215 kardinaj, 116 prej të cilëve, me të drejtë zgjedhore, 99, me të drejtë këshillimore, sepse i kanë kaluar tashmë të tetëdhjetat.








All the contents on this site are copyrighted ©.