2016-04-01 18:05:00

Kongresi Evropian i mëshirës trajton temën e politikës


Vijojnë punimet e Kongresit Apostolik Evropian të Mëshirës në Bazilikën romake të Sant’Andrea della Valle. Në të është shqyrtuar edhe tema e marrëdhënieve ndërmjet mëshirës dhe politikës.

         Nëse politika kërkon të mendosh e të dëgjosh para se të veprosh, mëshira është atëherë çelësi për të gjetur të vërtetën dhe drejtësinë e nevojshme në marrjen e vendimeve, në emër të “së mirës së përbashkët”. Duke kujtuar pikërisht këtë parim, gjatë Kongresit, u përmend figura e francezit Robert Schuman, një nga etërit themeltarë të Evropës së bashkuar, shpallur Shërbëtor i Zotit në vitin 2004. Të dëgjojmë zv.postulatorin e çështjes së Lumnimit, atë Joseph Jost:

         “Politika është gjithnjë në kërkim të së mirës së përbashkët, përpiqet gjithnjë t’i shërbejë njeriut, gjatë jetës së tij. Karakteristikë e politikës është edhe dëgjimi me mëshirë i njerëzve. Robert Schuman thoshte: ‘Më parë, duhet ta dëgjojmë njeriun deri në fund, pa e ndërprerë; ta dëgjojmë për të kuptuar çfarë dëshiron e pastaj, të flasim’. Fatkeqësisht, politika nuk e zbaton këtë aspekt të mirësisë, të mëshirës, kur është fjala për të dëgjuar të tjerët”.

         Mëshira e kujdesi për të afërmin janë edhe në bazën e “Kartës për Dhembshurinë”, një projekt i ideuar në SHBA-të dhe i nënshkruar nga 70 qytete, në gati 50 vende të botës, që nga Botsvana në Pakistan. Lindur nga bashkëpunimi ndërmjet eksponentëve të çdo feje, karta promovon padhunueshmërinë e njeriut, respektin ndaj tij dhe dënimin e çdo dhune. Tori Murden McClure, presidente e Spalding University të Louisville, në Kentucky, njëri nga “qytetet e dhembshurisë”:

         “Është e vështirë të përkufizohet koncepti i ‘dhembshurisë’; termi latin përbëhet nga ‘patior’, që do të thotë vuajtje, dhe ‘cum’, që do të thotë ‘së bashku me’. Pra, tregon gatishmërinë për të vuajtur së bashku me një person tjetër: ky është kuptimi i ‘compassione – dhembshurisë’. Përkufizimi i ‘dhembshurisë’ është hartuar nga 30 krerë fetarë të të gjithë botës: myslimanë, hinduistë, të krishterë…e të gjithë kërkuan ta vendosim këtë koncept në qendër të mendimit tonë. Nuk ka ligje për dhembshurinë: duhet thjesht, të shqetësohemi për vuajtjen e dikujt tjetër".

         Kongresi Evropian i Mëshirës bëhet në bazilikën e Sant’Andrea della Valle. Vend i shenjtë, pranë atij ku u martirizua shën Sebastiani, kishë ku është varrosur shën Jozef Maria Tomasi dhe ku u shugurua meshtar shën Maksimilian Kolbe. Të dëgjojmë vikarin e përgjithshëm të etërve teatinë, atë Marcelo Zubìa:

         "Në Vitin e Mëshirës, Sant’Andrea della Valle nuk është vetëm “Kisha e Toskës” (operës së Puçinit), por edhe vend ku duhet të kujtojmë e ta kuptojmë fenë tonë, që nga zanafilla e deri më sot. Është fe, që na nxit drejt ofertës, shërbimit dhe solidaritetit. Shën Maksimilian Kolbe është ndoshta figura më e spikatur, sepse dha jetën e vet në vend të një tjetri, që përndryshe, do të ishte vrarë në kampin e përqendrimit në Aushvic".








All the contents on this site are copyrighted ©.