2016-04-01 12:34:00

Jubileu. Veprat e mëshirës. Mikpritja ndër shqiptarë: një episod


Folëm, në emisionet e kaluara, për rrënjët e lashta indoevropiane të mikpritjes ndër shqiptarë e, më pas, për tiparet e reja që fitoi ky virtyt, i cili u shndërrua në vepër mëshire, kur u përhap kristianizmi.

Sipas rrëfimeve të traditës, shqiptari e kishte gjithnjë gati çka i duhej për mikun. Ndjehej i lumtur, kur priste një mik në shtëpi e mund ta ndante me të bukën, e i trishtuar, kur nuk kishte çka t’i qesë përpara në sofër. Pëlqente më mirë vdekjen, sesa një çnderim kësisoji, siç e tregon episodi i mëposhtëm:  

“Në vitet e fundit të sundimit turk në Shqipëri, kur Mustafa Pasha qeveriste Shkodrën, një malësor nga Shkreli, një farë Gjeto Markut, vrau një tregtar. E vrau thjesht sepse e dëgjoi duke i thënë fjalë të ndyra një gruaje prej maleve të tija, që po kalonte asajt! Roja e pazarit të Shkodrës e arrestoi menjëherë e Pasha e dënoi me varje. Pak para se t’ia vinin konopin në fyt, Pasha, kureshtar, dha urdhër t’ia sillnin në saraj e, duke  e parë se nuk po i tutej fare syri, e pyeti: ‘A e ke ndie ndonjëherë vedin ma keq se sot?’.

“Po - gjegji sakaq malësori, gjithnjë me syrin kokërr - kur më erdh miku në shtëpi e s’pata bukë në sofër. Për ne, burrat e malësisë, asht ma e ambël deka, sesa me ndie mikun tue të gërsitë në derë e mos me pasë kurrgja me i dhanë!”. Ali Pashës, që ishte me origjinë shqiptare dhe i njihte mirë zakonet e këtyre njerëzve, i pëlqeu përgjigjja e jo vetëm që ia fali jetën, por urdhëroi t’i jepnin edhe disa dele, duke shtuar:

“Këtë herë po të fali, sepse po e shoh se je burrë bujar; merri delet, të cilat  kanë me t’i dhanë, që ta kesh sofrën plot, kur t’ia behi miku në derë”.

Kështu tregojnë, ndonëse ishte tepër vështirë të hyje në shtëpinë e shqiptarit e të mos gjeje gjithçka duhej për ta pritur mikun, sepse, sipas ligjit tradicional, njerëzor e të krishterë: “Gjithkush e gjithherë, si ditën, ashtu natën, duhej të kishte gati për mikun bukën, kripën e zemrën e mirë, zjarrin në vatër, trungun për të mbështetur kokën e kashtën për shtroje”. E nëse ndokush nuk i kishte këto sende të nevojshme, vraponte tek familja më e afërt e lypte gjithçka i duhej, vetëm e vetëm që të mund ta thyente bukën me mikun, sepse nga buka e ngrënë së bashku, lind dashuria ndërmjet njerëzve.

Po citojmë një fragment nga “Lahuta e Malcís”, kanga X, titulluar “Ali Pasha”, që flet vetë për mikpritjen e, përgjithësisht, për shpirtin e shqiptarit të traditës:

“… veç , po ‘i punë baba m’ka mësue:

260 miqt për t’gjallë un mos me i lëshue.

Po t’më lypë halia mue,

gjithku e kam un gjânë e babës,

po ia lëshoj me mal e vërrí,

po ia lëshoj t’egër e t’butë,

 265 po i lëshoj tokën me gjithë shpí

Po i lëshoj plemet me tagjí,

po i lëshoj vathën me bagtí,

dhen e dhi un po ia fali:

erz, e shpirt, e mik, s’i fali!1

Të krijohet, kështu, ideja, se shtëpia e shqiptarit qe bërë më shumë për mikun, sesa për vetë familjarët.

Kështu, të paktën, vijon të na kujtojë tradita!








All the contents on this site are copyrighted ©.