2016-03-30 12:25:00

SOS okultizmi: kthehen kurset për t’u liruar nga i Keqi


Kur s’ndjekin fenë, shumë njerëz i drejtohen okultizmit. Pikërisht për t’iu përgjigjur kësaj emergjence, Universiteti Papnor “Regina Apostulorum” organizon edicionin XI të kursit për meshtarë e laikë, me titull “Ekzorcizmi dhe lutja e lirimit”. Kursi është rezultat i punës së Institutit “Sacerdos”, në bashkëpunim me grupin e punës kërkimore e të informacionit shoqëroro-fetar të Bolonjës (Gris) dhe me Shoqatën ndërkombëtare të Ekzorcistëve (AIE).

         “Objektivi i nismës – shpjegojnë organizatorët – është të formohen meshtarët e laikët për të praktikuar si duhet ekzorcizmin dhe lutjen e lirimit nga i Keqi”.

“Duke jetuar në një shoqëri shumë të shekullarizuar, në të cilën, më shumë se në të kaluarën, kemi prirjen për t’ia hapur dyert okultizmit dhe ekzoterizmit, veprimi i djallit favorizohet nga praktika magjie e nga puna e fallxhoreve, që mund të kenë ndikim të vërtetë, deri në pushtimin e shpirtrave – nënvizon drejtori i Institutit “Sacerdos”, atë Pedro Barrajon. Duhen shoshitur me kujdes rastet e ndryshme, që i paraqiten Kishës, në bashkëpunim me mjekët, psikologët e psikiatrët, nëse është e nevojshme”.

Kursin do ta hapë rektori i Universitetit Papnor, atë Jesus Villagrasa. Pas përshëndetjeve të rastit, kreu i Pendestarisë Apostolike, kardinali Mauro Piacenza, do të mbajë një “lectio magistralis”. Do të ndërhyjnë ekzorcistë, përgjegjës të shërbimit kishtar kundër sekteve e prelatë të tjerë të Kishës, ekspertë në këtë fushë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.