2016-03-29 15:02:00

Të krishterët pakistanezë: të ngushëlluar nga afërsia e Papës


“Jezusi na tregon se fuqia e Zotit nuk është shkatërrimi, por dashuria; drejtësia e Zotit nuk është hakmarrja, por mëshira”. Ky është tweet-i i publikuar sot nga Papa Françesku në faqen e tij @Pontifex. Fjalë, që të kujtojnë masakrën e tmerrshme të fëmijëve e grave në Lahore të Pakistanit, menduar e realizuar nga talebanët pikërisht në ditën e Pashkëve. Dje, në Lutjen e Mbretëreshës Qiellore, dëgjuam thirrjen e fuqishme të Papës për mbrojtjen e pakicës së krishterë e dënimin për urrejtjen, që sjell vetëm shkatërrim. Ndërkaq, orët e fundit, duke sfiduar frikën, qindra të krishterë e myslimanë u mblodhën në lutje, pikërisht në hyrjen e parkut të lojrave, ku ndodhi atentati. Të dëgjojmë kryetarin e Shoqatës së Pakistanezëve të Krishterë në Itali, prof. Mobeen Shahid:

Fjalët e Atit të Shenjtë Bergoglio u pritën mirë e i ngushëlluan shumë njerëzit. Papa u informua menjëherë për këto ngjarje kaq të tmerrshme, që ndodhën në Lahore, e i kujtoi viktimat e masakrës. Megjithëse pjesa më e madhe e tyre është e krishterë, nuk duhet të harrojmë se në park kishte edhe familje myslimane e disa prej myslimanëve humbën jetën. Prandaj, kryesisht, ishte sulm kundër të krishterëve, por preku gjithë kombin! Fatkeqësisht, në këtë çast, vendi po paguan pasojat e atij edukimi, që u dha duke u frymëzuar nga fanatizmi, kundër komunizmit ndërkombëtar, gjatë luftës me Rusinë në Afganistan.

Papa jo vetëm dënon, por përvijon edhe një rrugë, që nuk propozon hakmarrje, vetëm edukim, dialog, bashkëjetesë. E gjatë, e vështirë, por e vetmja që mund të përshkojmë për t’iu larguar dhunës…

 Ne si të krishterë, sidomos në Vitin e Jubileut të Mëshirës, duhet të sillemi me fe të thellë, sipas shembullit të Krishtit, që fal. Por, kemi dhimbjen e familjeve, që kanë humbur fëmijët…. Tani mora vesh se vdiq edhe një fëmijë tjetër, që ishte shtruar në spital. Prandaj, numri i fëmijëve të vrarë vlerësohet të jetë 31, ndërsa gratë, 8… Dikush ka humbur nënën, dikush motrën, djalin apo vajzën: edhe ata duhen marrë parasysh. Presidenti i Republikës dhe kryeministri pranuan publikisht këto ditë, impenjimin e pakicave fetare për themelimin e Pakistanit. Mendoj se ka ardhur koha që presidenti dhe kryeministri të rivendosin Ministrinë federale për Pakicat, sepse pa të, jo vetëm nuk mund të mbrohen, por as t’u jepet atyre mundësia për t’u zhvilluar e për të kontribuar në përparimin e vendit.

Jo më larg se dje, Papa Françesku u kërkoi autoriteteve të bëjnë përpjekje në këtë drejtim. Nga njëra anë, qeveria ka vështirësi për t’i bërë ballë ekstremizmit, por nga ana tjetër, akoma ekziston ligji mbi blasfeminë…

Dje, kryeministri Nawaz Sharif, në thirrjen e tij për kombin, kritikoi abuzimin e ligjit mbi blasfeminë. Ishte hap pozitiv për të krishterët e për pakicat në Pakistan. Vërtet, në fjalën e tij, kryeministri tha: “Nuk do të pranojmë paligjshmëri në emër të Zotit e të Profetit”. Është hera e parë, që ndodh kjo, gjatë tri qeverive të fundit. Është hap i rëndësishëm fakti që një kryeministër saktëson se nuk mund të pranohet paligjshmëria. Shpresojmë që përveç rivendosjes së Ministrisë federale për Pakicat fetare të Pakistanit, të ngrihet edhe një komitet për të marrë masa konkrete, të vërteta, të frytshme, që të pakësohet abuzimi me këtë ligj, nëse nuk shfuqizohet.

Kjo masakër ndodhi pikërisht për Pashkë, kur të gjithë të krishterët festojnë ngjalljen e Krishtit. Ç’mund të bëjnë për ju të krishterët e vendeve të tjera?

Si të krishterë, i ftoj të gjithë të luten për viktimat e masakrës, që unë i quaj “martirë të fesë”, sepse u vranë ngaqë ishin të krishterë, ashtu siç thonë edhe vetë talebanët. Sonte, së bashku me Bashkësinë e Shën Egjidit, besimtarët mblidhen në orën 20.00, në Bazilikën e Shën Marisë në Trastevere, në Romë, në lutje për viktimat. 








All the contents on this site are copyrighted ©.