2016-03-29 16:04:00

Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor


Në vijim të Samitit të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Vjenë, më datë 27 gusht 2015, dhe në përgatitje të Samitit që do të mbahet në Paris në korrik 2016, Ministria e Punëve të Jashtme organizon në Durrës, më 30-31 mars 2016, takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me praninë e Komisionerit të BE-së për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe të Negociatave të Zgjerimit, z. Hahn, të Sekretarit të Përgjithshëm të RCC, z. Svilanovic, të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, z. Lubomir Zaoralek në detyrën e tij si kryesues i radhës i Grupit të Vishegradit (V4) si dhe të Sekretarit të Shtetit, z. Harlem Desir dhe të Nën-sekretarit italian për Punët e Jashtme Vincenzo Amendola si të ftuar nderi.
 
Ky Takim Ministerial do t'u japë mundësi pjesëmarrësve për të vlerësuar dhe thelluar më tej punën e bërë lidhur me përgatitjen e projekteve rajonale të ndërlidhjes në fushën e transportit dhe energjisë, në kuadër të përgatitjeve të Samitit për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në Paris në korrik.
 
Diskutimet do të përqendrohen në çështje të bashkëpunimit rajonal, ecurinë e ngritjes së Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe përgatitjet për ngritjen e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor.
 
Takimi do të përmbyllet me një deklaratë të përbashkët për sa më lart dhe për sfidat e përbashkëta si kriza migratore e çështjet e sigurisë dhe pasojat e tyre në vendet e Ballkanit Perëndimor.  
 
Në kuadër të Takimit, Ministri  Bushati do të zhvillojë bisedime dypalëshe me disa homologë me synim thellimin dhe identifikimin e formave të reja të bashkëpunimit.

(Lajm nga ambasada e Shqipërisë në Itali)
 








All the contents on this site are copyrighted ©.