2016-03-29 16:59:00

Biblioteka apostolike e Vatikanit


Biblioteka apostolike e Vatikanit është institucioni kulturor, themeluar nga Selia e Shenjtë duke nisur që nga shekulli XIV. Ka një mori tekstesh të lashta dhe librash të rrallë, ndërmjet të cilëve, më të rëndësishmit, i takojnë shekullit I pas Krishtit.

Dokumentacioni historik vërteton se në shekullin IV ekzistonte një Scrinium, që duhej të ishte si biblioteka, ashtu edhe arkivi i Kishës latine, ndërsa një dokument i vitit 784 (nën papninë e Adrianit I)  flet për bibliotekarin Teofilati. Duhet kujtuar se Scrinium papnor u dëmtua rëndë në shekullin XIII, ndërsa librat e mbledhur më pas, për të cilët ekziston akoma një inventar realizuar gjatë papnisë së Bonifacit VIII (1294-1303), pësuan humbje të ndjeshme pas vdekjes së tij, gjatë zhvendosjeve të vazhdueshme (së pari, në Peruxhia, pastaj në Asizi e, së fundi, në Avinjon). Në Francë, Gjoni XXII (1316-1333) nisi të mbledhë libra për një bibliotekë të re e cila, në gjashtëqindën, u pasurua nga prurjet e  bibliotekës së familjes Borghese.

Qe humanisti bibliofil Tomaso Parentucelli (papë që nga viti 1447 deri më 1455, me emrin Nikolla V) i pari që e konceptoi idenë e një biblioteke moderne, duke mbledhur një mori kodikësh të lashtë e duke i hapur dyert, që më 1451, për studiuesit dhe eruditët, në një sallë në katin përdhes të Vatikanit, pranë Oborrit, që njihej me emrin “i papagajve” . Si kaloi nga 350 kodikët e bibliotekës avinjoneze, në 1200 të regjistruar kur vdiq Nikolla V,  ky koleksion  u bë bërthama e bibliotekës së ardhshme.

Themelimi zyrtar i Bibliotekës apostolike të Vatikanit  i takon papnimit të Siksti IV, me bulën e tij Ad Decorem militantis Ecclesiae, të 15 qershorit 1475. Menjëherë pas, më 18 qershor, nisi veprimtarinë i pari gubernator et custos, humanisti Bartolomeo Sacchi, që kishte tre bashkëpunëtorë dhe një libralidhës. Biblioteka e re nisi të grumbullojë dorëshkrime, kodikë, fonde e materiale të tjera, duke nisur nga Siksti IV, për të vijuar me pasardhësit e tij. 2500 libra, që u bënë 3500 gjashtë vjet më pas, të ndarë në katër salla: Bibliotheca Latina dhe Bibliotheca Graeca për tekstet e gjuhëve përkatëse; Bibliotheca Secreta, për ato që nuk lejoheshin të konsultoheshin dhe të nxirreshin jashtë; Bibliotheca Pontificia, që luante edhe rolin e arkivit. Mjediset e tyre u zbukuruan edhe me piktura, realizuar nga Melozzo da Forlì, Antoniazzo Romano dhe nga vëllezërit Domenico e David Ghirlandaio.

Qëllimin e kësaj Biblioteke e kujtoi Papa Pali VI në Fjalimin me rastin e 500-vjetorit të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit: “Biblioteka pajisej me një pasuri të begatë e të çmuar librash, për t’i vënë në dispozicion të studiuesve, në fazat e ndryshme të konsultimit, të leximit, të krahasimit dhe të kontrollit përfundimtar”.   

Biblioteka sot

Ndërmjet  vlerave më të çmuara të Bibliotekës së Vatikanit, është Codex Vaticanus, dorëshkrimi më i lashtë, i plotë, i Biblës, që njihet deri më sot.

E sot Biblioteka ka:

rreth 1.500.000 vëllime të lashta e të reja
8.300 inkunaboli (prej tyre, 65 në pergamenë)
150.000 kodikë në dorëshkrim e karta arkivi. 
300.000 monedha e medalje  
rreth 20.000  objekte arti 
80.000 dorëshkrime  

E nuk mund të harrojmë se ndërmjet këtyre pasurive të papërsëritshme, pronë e mbarë njerëzimit, ruhet prej shumë vjetësh, libri i parë i shqipes së shkruar, që njihet deri më sot: “Meshari” i Dom Gjon Buzukut. Biblioteka e Vatikanit pati mirësinë ta nisë këtë libër të rrallë për udhë, kur vendlindja e tij kremtonte 100-vjetorin e Pavarësisë, duke u krijuar mijëra shqiptarëve mundësinë ta sodisin origjinalin e duke lënë, pastaj në vend të tij, në Tiranë, një kopje tejet të ngjashme.  

Që nga viti 1985 ekziston një katalog informatik botimesh moderne, që mund të konsultohet drejtpëdrejt.  Hyrja në Bibliotekë u lejohet vetëm  pedagogëve dhe bashkëpunëtorëve shkencorë të universiteteve.

Një pjesë e objekteve të Bibliotekës janë ekspozuar në Muzetë e Bibliotekës Apostolike  vatikanase .

Shqiptarët në Bibliotekën e Vatikanit

Kujtojmë se Biblioteka e Vatikanit është e hapur edhe për shqiptarët, të cilët kanë mundësi t’i shfletojnë e t’i konsultojnë materialet, që u interesojnë.E kjo, falë edhe nënshkrimit, më 2007, të marrëveshjes ndërmjet arkivit të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe Arkivit Sekret të Vatikanit. 

Në mjediset e Bibliotekës e të Arkivit Sekret kanë hulumtuar një mori shqiptarësh të shquar, duke nisur nga Profesor Namik Resuli, Atë Zef Valentini, Profesor Eqrem Çabej, për të vijuar me Profesor Martin Camajn. Të gjithë kryesisht studiues të “Mesharit” të Buzukut. Ndërmjet librave të Bibliotekës vatikanase Camaj u frymëzua për të shkruar veprën e mirënjohur poetike “Palimpsest”.








All the contents on this site are copyrighted ©.