2016-03-27 11:19:00

Nata pa gjumë e Pashkëve: dashuria e Zotit, shpresë që nuk zhgënjen


Në Natën e pagjumë të Pashkëve, gjatë Meshës kryesuar në Bazilikën e Vatikanit, Papa i mori përdore besimtarët, për t’i çuar edhe një herë tek Varri i zbrazët e për t’u rikujtuar Ngjalljen e Krishtit, prej nga buron shpresa e Ringjalljes sonë. Pikërisht shpresa e përshkoi tej e mbanë homelinë e kësaj nate, që realizoi shpresën më të madhe të njerëzimit: atë të ringjalljes.

E në këtë natë të pagjumë, pikërisht në atmosferën rrezëlluese të Bazilikës së Shën Pjetriti, bashkësisë katolike shqiptare iu shtuan, ndërmjet sa e sa të tjerëve, në kishat vendase, edhe 6 besimtarë të rinj, të pagëzuar me dorën e Atit të Shenjtë. Ishin gjysma e të pagëzuarve të rinj, që patën fatin ta marrin sakramentin e parë të krishterë në këtë natë të madhe, plot shpresa. Quhen Bernarda Dervishi, Dasara Dervishi, Flora Gjikolaj, Gjovalin Gjikolaj, Herjola Rrapaj (Maria) dhe Ylli Taçi( Françesk).

Papa, gjatë homelisë, kujtoi edhe një herë trishtimin e së Premtes së Madhe, vdekjen e  Krishtit në kryq, pendimin e Pjetrit që e mohoi tri herë Zotin, e pa duke vdekur në kryq e më pas ngarendi i pari, menjëherë pas grave, te varri: 

"Nuk ndenji ulur, duke dëgjuar, nuk u mbyll në shtëpi si të tjerët. Shkoi të kërkonte Jezusin, jo vetveten. Zgjodhi udhën e takimit e të besimit e u nis kah varri, prej të cilit u rikthye plot mrekullim. E ky ishte fillimi i Ringjalljes, ringjallja e zemrës".

Edhe ne, vijoi Papa, ashtu si Pjetri e si gratë, që dielën, pa shkrepur agimi shkuan për të çuar aromat tek varri,  e jetojmë këtë përvojë.

Shikojmë e do të shikojmë vazhdimisht probleme rreth nesh e brenda nesh, Problemet do të jenë gjithmonë, por sonte duhet t’i ndriçojmë  me dritën e të Ngjallurit, në një farë mënyre, “t’i ungjillëzojmë”. Nuk duhet të lejojmë që errësira e frika të na e errësojnë shikimin e shpirtit e të na e sundojnë zemrën, por duhet të shpallim me zë të lartë lajmin e madh: “Zoti nuk është këtu. U ngjall!” (v6). Ai është gëzimi ynë më i madh, është gjithnjë pranë nesh e nuk do të na zhgënjejë kurrë.

Ky, themeli i shpresës sonë, që nuk është optimizëm i thjeshtë, e as sjellje psikologjike e as ftesë për guxim. Shpresa e krishterë është dhuratë, që na bën Zoti, nëse dalim nga vetja e ia hapim krejt zemrën Atij. Kjo shpresë, shtoi Papa, nuk të zhgënjen, sepse Shpirti Shenjt u ndikua në zemrat tona. (krh Rom 5,5)

Ngushëlluesi, vijoi Françesku, nuk na duket krejt i bukur, nuk e zhduk të keqen, nuk ka shkopin magjik, por ndikon në jetën tonë forcën e vërtetë, sigurinë se Krishti na do e na fal gjithnjë, sepse për ne fitoi mbi mëkatin, frikën vdekjen!

Sot është festa e shpresës sonë!

Por, si mund ta ushqejmë këtë shpresë, pyeti Papa, për t’u përgjegjur sakaq:

“Liturgjia e kësaj nate na jep një këshillë të mirë, na mëson të kujtojmë veprat e Zotit, besnikërinë, historinë e dashurisë së Tij për ne, duke na ushqyer shpresat e duke na ringjallur gëzimin. Të mos i humbasim, pra, shpresat, ishte porosia e Papës, të mos e harrojmë Fjalën e Zotit, veprat e Tij, përndryshe do ta humbasim edhe shpresën. Ta kujtojmë gjithnjë Zotin, mirësinë e Tij, fjalët e Tij, që japin jetë e që na i prekin zemrat. T’i kujtojmë e t’i bëjmë tonat, për të qenë gjithnjë rojet e agimit, që dinë t’i dallojnë së largu shenjat e të Ngjallurit!".








All the contents on this site are copyrighted ©.