2016-03-26 10:08:00

Papa në Koloseum: Kryqi na thotë se asgjë në botë nuk mund ta mposhtë dashurinë e Zotit!


Lutja e Papës:

O Kryqi i Krishtit, simbol i dashurisë hyjnore dhe i padrejtësisë njerëzore, ikonë e flijimit më të lartë për dashuri dhe i egoizmit më të skajshëm për marrëzi, mjet vdekjeje e udhë ringjalljeje, shenjë bindjeje e emblemë tradhtie, poduim persekutimi e flamur fitoreje.

O Kryqi i Krishtit, edhe sot të shikojmë të ngritur në motrat tona e në vëllezërit tanë të vrarë, të djegur gjallë, të therur, me kokat prerë nga shpata barbare e nga heshtja e poshtër.

O Kryqi i Krishtit, të shikojmë edhe sot në fytyrat e fëmijëve, të grave e të njerëzve të këputur e të trembur për vdekje, që ikin nga luftërat e nga dhuna e shpesh nuk gjejnë përpara tjetër, veç vdekjes dhe një mori pilatësh, që lajnë duart.

O Kryqi i Krishtit, edhe sot të shikojmë në doktorët e letrave, por jo të shpirtit; të vdekjes, por jo të jetës, të cilët në vend që të japin mësimin e mëshirës e të jetës, e kërcënojnë me ndëshkim e vdekje dhe e dënojnë të drejtin.

O Kryqi i Krishtit, edhe sot të shikojmë në ministrat e pabesë të cilët, në vend që të zhvishen nga ambiciet e tyre të kota, i zhveshin deri të pafajshmit nga dinjiteti.

O Kryqi i Krishtit, të shikojmë akoma sot në zemrat e ngurosura të atyre, që i gjykojnë të tjerët, pa e prishur fare gjakun, zemra të gatshme për të dënuar, madje edhe për të mbytur me gurë, pa i kujtuar kurrë fajet e mëkatet e veta.

O Kryqi i Krishtit, të shikojmë akoma sot në fundamentalizmat e në terrorizmat e ndjekësve të ndonjë feje, që e dhunojnë emrin e Zotit dhe e pëdorin për të përligjur dhunën e pashembullt.

O Kryqi i Krishtit, të shikojmë akoma sot në njerëzit e pushtetshëm e në tregtarët e armëve, që ushqejnë furrën e luftërave me gjak të pafaj vëllezërish.

O Kryqi i Krishtit, të shikojmë akoma sot në hajdutët, në të korruptuarit të cilët, në vend që ta mbrojnë pasurinë e përbashkët dhe etikën, shiten në tregun e mjerë të imoralitetit.

O Kryqi i Krishtit, të shikojmë akoma sot në të çmendurit, që ndërtojnë depo për të ruajtur thesare të përkohshme, duke e lënë Lazrin të vdesë në prag të portave të tyre.

O Kryqi i Krishtit, të shikojmë akoma sot në shkatrrimtarët e shtëpisë së përbashkët që, me egoizëm, rrënojnë ardhmërinë e breznive të reja.

O Kryq i Krishtit, të shikojmë akoma sot në pleqtë e braktisur nga familjarët e tyre, në njerëzit e gjymtuar, në fëmijët e kequshqyer e të flakur tutje nga shoqëria jonë  egoiste e hipokrite.

O Kryqi i Krishtit, të shikojmë akoma sot në Mesdhe e në Egje, dete që u shndërruan në varrezë të panginjur, shembëllesë e ndërgjegjes sonë të pandjeshme e të kredhur në gjumë të thellë.

O Kryqi i Krishtit, shëmbëllim i dashurisë pa fund e rrugë e Ringjalljes, të shikojmë akoma sot në njerëzit e ndershëm e të drejtë, që bëjnë mirë, pa kërkuar duatrokitjet, as admirimin e të tjerëve.

O Kryqi i Krishtit, të shikojmë akoma sot në ministrat besnikë e të përvuajtur, të cilët e ndriçojnë errësirën e jetës sonë si qirinj, që  treten veç për të ndriçuar jetën e zezë të të fundmëve.

O Kryqi i Krishtit, të shikojmë akoma sot në fytyrat e rregulltarëve e rregulltareve - samaritanë të mirë, që braktisin gjithçka, për të fashuar, në heshtje, plagët e hapura nga varfëria e padrejtësia.

O Kryqi i Krishtit, të shikojmë akoma sot në njerëzit e thjeshtë, që e jetojnë gëzueshëm fenë e tyre të përditshme, e, në bindje të plotë, Urdhërimet e Tënzot.

O Kryqi i Krishtit, të shikojmë akoma sot në të penduarit, që dinë, nga fundi i mjerimit të mëkateve të tyre, të lëshojnë britmën: “O Zot, kujtoju për mua në Mbretërinë Tënde!".

O Kryqi i Krishtit, të shikojmë akoma sot në të lumturit e në shenjtorët, që dinë ta kapërcejnë errësirën e natës së fesë, pa e humbur besimin në Ty e pa pretenduar ta kuptojnë heshtjen tënde misterioze.

O Kryqi i Krishtit, të shikojmë akoma sot në familjet, që e jetojnë me besnikëri, rrethuar nga fëmijët, thirrjen e tyre.

O Kryqi i Krishtit, të shikojmë akoma sot në vullnetarët, që ndihmojnë bujarisht nevojtarët e të lënduarit nga jeta.

O Kryqi i Krishtit, të shikojmë edhe sot në të përsekutuarit  për fenë e tyre, të cilët edhe në kulmin e vuajtjes, vijojnë të japin dëshmi të vërtetë për Jezusin dhe për Ungjillin e Tij.

O Kryqi i Krishtit, të shikojmë akoma në ëndrrimtarët, që jetojnë me zemër fëmije e punojnë çdo ditë për ta bërë botën vend më të mirë, më njerëzor, më të drejtë.

Në ty, o Kryq Shenjt, shikojmë Zotin, që do deri në fund të fundit, e shikojmë edhe urrejtjen, që i pushton e i verbon zemrat dhe mendjet e atyre, të cilëve u pëlqen më shumë terri, se drita.

O Kryq i Krishtit, Arkë e Noehit, që shpëtoi njerëzimin nga përmbytja e mëkatit, shpëtona nga e keqja e nga i keqi! O Fron i Davidit e vulë e Besëlidhjes hyjnore e të amshuar, zgjona nga joshjet e kotësitë! O britmë dashurie, ngjalle në ne dëshirën për Zotin, për të mirën, për dritën.

O Kryqi i Krishtit, na mëso se lindja e diellit është më e fortë sesa rënia e natës.

O Kryqi i Krishtit, mësona se fitorja, në dukje, e së keqes, davaritet para varrit të zbrazët e përballë sigurisë së Ringjalljes e dashurisë së Zotit, të cilën s’ka gjë në botë që e mund, që e errëson, që e ligështon. Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.