2016-03-26 11:38:00

Nata e Shenjtë e Pashkëve, Natë e Shenjtë e Krishtit të Ngjallur!


Për shumë Mot kjo Natë e Shenjtë e Pashkëve, kjo Natë e Shenjtë e Krishtit të Ringjallur, juve të nderuar  besimtarë e shqiptarë kudo që jeni. Drita, bekimi e paqja e Krishtit të Gjallë qofshin përherë në zemra e në familje tuaja.
Emisionin tonë të Shtunës së Madhe ia kushtojmë pikërisht Natës së Shenjtë të Ngjalljes së Jezu Krishtit, Natës së Pashkëve në të cilën Kisha mbarë i kumton njerëzimit Ngjalljen e Krishtit. Kjo e vërtetë e fesë së krishterë është pika kulmore e tërë Vitit të Liturgjisë Kishtare dhe thelbi i fesë sonë të krishterë, e për këtë arsye solemniteti i Pashkëve quhet me të drejtë festa e të gjitha festave, e kjo Natë tejet e Shenjtë e Pashkëve, ‘nëna e të gjitha netëve, nëna e të gjitha festave’ të krishtera. Në këtë Natë të Shenjtë, gjithçka përkon, gjithçka përmblidhet e merr kuptim të ri në Dritën Shpëtimprurëse të Jezusit të Ringjallur.
Pra, në këtë Natë të Shenjtë të Ngjalljes së Jezu Krishtit, kremtojmë ngjarjen e madhe e vendimtare që ia ndryshoj rrjedhën historisë së njerëzimit: kremtojmë fitoren e Krishti mbi vdekje e këndej më Krishtin e në Krishtin edhe ngadhënjimin e njerëzimit mbi të keqen e vdekjen.
Në këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve “kumtojmë fenë tonë në Krishtin e kryqëzuar, të vdekur e të ringjallur. Kumtojmë shpresën tonë në njerëzimin e shëlbuar e të bërë “bir” të Zotit. Shpallim sot dashurinë që na shpëtoj e që bëri të lindë në ne dashuria”.
Prezenca në Eukaristi, nata e lutjes në Gjetësemani, falja e armiqve, feja në Krishtin, në Birin e njeriut, përcaktimi mes të mirës e së keqes që çdo njëri duhet të bëj me përgjegjësi të ndërgjegjes së vet, kryqi i Krishtit, shenjë e dashurisë dhe e lavdërimit: në këtë vështrim duhet t’i përshkojmë orët e mbramë të Jezusit, jo si një përkujtim thjesht të një riti fetar por të një afërsie të besimit e të liturgjisë pashkore në dashurinë Ngadhënjimtare të Zotit të Jetës.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.