2016-03-25 13:37:00

Udha e Kryqit, kremtuar nga Papa Françesku në Koloseum


Papa Françesku kremton sot Mundimet e Zotit tonë Jezu Krisht, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Në orën 21.00 niset me makinë nga Shtëpia e Shën Martës, për të mbërritur në Koloseum, në orën 21.15, për Udhën e Kryqit së bashku me besimtarët e mbledhur përreth amfiteatrit, ku u martirizuan të krishterët e parë. Meditimet e këtij viti për Udhën e Kryqit i ka shkruar kryeipeshkvi i Peruxhës-Qyteti i Pieves, kardinali Gualtiero Bassetti, që e ka titulluar reflektimin e tij “Zoti është mëshirë”. Ne po ju njohim vetëm me disa nga ndalesat e kësaj Udhe të Kryqit, sidomos me ato, që përbëjnë kulmin e saj e bazën e fesë së krishterë, por edhe me ato ku kardinali ka cituar njerëz të mëdhenj të mendimit, si shën Gjon Palin II, atë David Maria Turoldon dhe don Primo Mazzolarin.

Papa Françesku u jep sot Ndjesën e plotë, në formën e caktuar nga Kisha, të gjithë besimtarëve të pranishëm në Udhën e Kryqit në Koloseum, si edhe të gjithë atyre, që do ta marrin bekimin e tij përmes radios, televizionit dhe teknologjive të reja të komunikimit.

                                                                Zoti është mëshirë

“Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i mëshirshëm dhe Hyji që jep çdo ngushëllim!” (2 Kor 1,3).

Në këtë Jubile të jashtëzakonshëm, edhe Udha e Kryqit e së Premtes së Madhe na tërheq me një forcë të veçantë, me atë të mëshirës së Atit Qiellor, i cili dëshiron të dikojë mbi ne Shpirtin e Tij të hirit e të ngushëllimit.

Mëshira është kanali i hirit, që nga Zoti arrin tek të gjithë burrat e gratë e sotme. Burra e gra shpesh të humbur e të hutuar, materialistë e idhujtarë, të varfër e të vetmuar. Gjymtyrë të një shoqërie, që duket sikur e ka zhdukur mëkatin dhe të vërtetën.

“Do ta vajtojnë atë që e shporuan” (Zk 12,10): plotësohen edhe për ne, këtë mbrëmje, fjalët profetike të Zakarisë! T’i ngremë sytë nga mjerimi ynë pa fund për t’ia ngulur Atij, Zotit tonë Jezu Krisht, Dashurisë së Mëshirshme. Atëherë mund ta shohim fytyrën e Tij e mund t’i dëgjojmë fjalët e Tij: “Të desha me dashuri të amshueshme” (Jer 31,3). Ai, me faljen e tij, i fshin mëkatet tona e na hap udhën e shenjtërisë, në të cilën do të përqafojmë kryqin tonë, së bashku me Të, për hir të dashurisë për vëllezërit.

Burimi që e lau mëkatin tonë do të bëhet brenda nesh “burim që rrjedh në jetën e pasosur” (Gjn 4,14).

                                                          Lutja

O Atë i amshuar,

përmes Mundimeve të Birit tënd të zgjedhur,

deshe të na zbulosh zemrën

e të na dhurosh mëshirën tënde.

Bëj që, të shtrënguar fort pas Marisë, Nëna e tij dhe e jona,

të dimë ta pranojmë

e ta ruajmë gjithmonë dhuratën e dashurisë.

Ajo, Nëna e Mëshirës,

t’i prezantoftë lutjet

që të lartojmë për ne e për gjithë

njerëzimin,

që hiri i kësaj Udhe të Kryqit

mbërriftë në çdo zemër njerëzore

e dikoftë shpresë të re,

atë shpresë të patëmetë

që rrezatohet nga Kryqi i Jezusit,

i cili jeton e mbretëron me Ty

në bashkim me Shpirtin Shenjt

në shekuj të shekujve. Amen.

                                                              Ndalesa e parë

                                                     Jezusi dënohet me vdekje

Nga Ungjilli sipas Markut (15, 14-15): “Po ç’të keqe ka bërë?” ‑ u tha Pilati. Por ata bërtitën edhe më të madhe: “Kryqëzoje!”. Pilati, duke dashur të kënaqë turmën ua lëshoi Barabën, kurse Jezusin, pasi e frushkulloi, ua dha ta kryqëzojnë”.

         Jezusi është i vetëm para pushtetit të kësaj bote. Dhe i nënshtrohet deri në fund drejtësisë së njerëzve.

         Pilati ndodhet para një misteri, që nuk arrin ta kuptojë. Pyet veten e kërkon shpjegime. Kërkon një zgjidhje e arrin, ndoshta, deri në pragun e së vërtetës.

         Por vendos të mos e kalojë atë prag. Ndërmjet jetës e së vërtetës, zgjedh jetën e vet. Ndërmjet të sotmes dhe amshimit, zgjedh të sotmen.

         Turma zgjedh Barabën dhe braktis Jezusin. Turma do drejtësi mbi tokë e zgjedh atë, që mendon se mund ta vendosë drejtësinë: atë, që mund t’i lirojë nga shtypja e nga zgjedha e skllavërisë. Por drejtësia e Jezusit nuk realizohet me revolucion: kalon përmes shkandullit të kryqit. Jezusi shpërbën çdo plan çlirimi, sepse merr mbi vete të keqen e botës e nuk i përgjigjet së keqes me të keqe. E këtë, njerëzit nuk e kuptojnë. Nuk kuptojnë se nga disfata e njeriut mund të rrjedhë drejtësia e Zotit.

         Secili prej nesh, sot, është pjesë përbërëse e kësaj turme, që bërtet: “Kryqëzoje!”. Askush s’mund të ndjehet i përjashtuar. Vërtet, turma e Pilati dominohen nga një ndjenjë e brendshme, e përbashkët për shumë njerëz: frika. Frika se mos humbasin siguritë e tyre, pasuritë, jetën. Por Jezusi tregon një udhë tjetër.

O Zot Jezus,

Sa të ngjashëm jemi me këta personazhe.

Sa frikë ka në jetën tonë!

Kemi frikë nga tjetri,

nga i huaji, nga emigranti.

Kemi frikë nga e ardhmja,

nga e paparashikueshmja, nga mjerimi.

Sa frikë në familjet tona,

në ambientet e punës, në qytetet tona…

E ndoshta, kemi frikë edhe nga Zoti:

ajo frika nga gjykimi hyjnor

që lind nga feja e paktë,

ngaqë s’e njohim zemrën e Hyjit,

nga dyshimi për mëshirën e Tij.

O Zot, Jezus,

i dënuar nga frika e njerëzve,

na liro nga tmerri prej gjykimit tënd.

Bëj që britma e anktheve tona të mos na pengojë

Ta dëgjojmë forcën e ëmbël të ftesës tënde:

“Mos kini frikë!”

 

                                                                     Ndalesa e 12-të

                                                                    Jezusi vdes në kryq

Nga Ungjilli sipas Markut 15, 33-39: “Kur u bë ora gjashtë errësira e mbuloi mbarë dheun deri në orën nëntë. Në orën nëntë Jezusi lëshoi një gjëmë të madhe: “Eloi, Eloi, lema sabahthani?” Që përkthehet: “Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?” Disa prej atyre që ishin pranë, kur e dëgjuan, thanë: “Ja, po thërret Elinë!” Njëri prej tyre u lëshua me vrap, e lagu shpuzën në uthull, e vuri në kallam, ia dha ta pijë duke thënë: “Lëreni të shohim pale a po vjen Elia ta ulë nga kryqi!” Jezusi lëshoi një britmë të madhe ‑ e dha shpirt. Atëherë perdja e Tempullit u nda më dysh prej majës e deri në fund. Centurioni që rrinte përballë Jezusit, kur pa se si i doli shpirti, tha: ‘Ky njeri paska qenë me të vërtetë Biri i Hyjit!’”.

         Errësirë në mesditë: po ndodh diçka absolutisht e padëgjuar dhe e paparashikuar mbi tokë, por që nuk i përket vetëm tokës. Njeriu vret Zotin! Biri i Hyjit u kryqëzua si të ishte keqbërës. Jezusi i drejtohet Atit me fjalët e para të Psalmit 22. Është gjëma e vuajtjes dhe e shkretimit, por edhe britma e “besimit të plotë në fitoren hyjnore” dhe e “sigurisë së lavdisë” (Benedikti XVI, Katekizmi, 14 shtator 2011).

         Britma e Jezusit është britma e çdo të kryqëzuari të historisë, i të braktisurit dhe i të poshtëruarit, i martirit dhe i profetit, i të përgojuarit dhe i të dënuarit padrejtësisht, i të dëbuarit dhe i të burgosurit. Është britma e dëshpërimit njerëzor, e cila, megjithatë, çon drejt fitores së fesë, që e shndërron vdekjen në jetë të amshuar. “E unë do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd, do të të lavdëroj në kuvendin e dheut” (Ps 22, 23).

         Jezusi vdes në kryq. A është kjo vdekja e Zotit? Jo, është kremtimi më i lartë i dëshmisë së fesë. Shekulli XXI është quajtur shekulli i martirëve. Shembuj si ai i Maksimilian Kolbes dhe Edit Shtajnit rrezatojnë dritë pa fund. Por akoma sot, korpi i Krishtit kryqëzohet në shumë rajone të tokës. Martirët e shekullit XXI janë apostuj të vërtetë të botës bashkohore.

         Në errësirën e madhe, ndizet feja: “Vërtet, ky njeri ishte Biri i Zotit!”, sepse kush vdes kështu, duke e kthyer në shpresë jete dëshpërimin e vdekjes, nuk mund të jetë thjesht njeri.

I Kryqëzuari është ofertë e plotë.

Nuk mbajti asgjë, as një rrip

veshjeje,

as një pikë gjaku, as të Ëmën.

Dha gjithçka: “Consummatum est”.

Kur nuk ke më asgjë për të dhënë,

sepse jep i gjithi vetveten,

atëherë bëhesh i aftë për dhurata të vërteta.

I zhveshur, lakuriq, i ngrënë nga plagët,

nga etja e braktisjes, nga fyerjet:

nuk ekziston më figura e njeriut.

Të japësh gjithçka: ja dashuria.

Aty ku mbaron e imja, fillon parajsa.

(don Primo Mazzolari)

 

                                                             Ndalesa e 13-të

                                                      Jezusin e ulin prej kryqit

   Nga Ungjilli sipas Markut (15, 42-43.46a): “Kur u bë natë dhe, pasi ishte përgatitja ‑ d. m. th. nata e së shtunës ‑ erdhi Jozefi prej Arimatesë, këshilltar i shquar e që edhe ai priste Mbretërinë e Hyjit, mori guxim dhe hyri te Pilati e ia lypi trupin e Jezusit. Ky [Jozefi] bleu pëlhurën, e uli nga kryqi Jezusin”.

         Jozefi i Arimatesë e pranon Jezusin para se ta shihte lavdinë e Tij. E pranon kur është i mundur. Keqbërës. I refuzuar. Ia kërkon trupin Pilatit për të mos e lënë ta hedhin në varrin e përbashkët. Jozefi vë në rrezik reputacionin e vet e ndoshta, ashtu si Tobia, edhe jetën e vet (shih Tb 1, 15-20). Por guximi i Jozefit nuk është ai i heronjve në betejë. Guximi i Jozefit është forca e fesë. Një fe, që bëhet mikpritje, dashuri, që s’kërkon asgjë në këmbim. Me një fjalë, bëhet dashuri e krishterë e bamirësi.

         Heshtja, thjeshtësia dhe vetëpërmbajtja me të cilën Jozefi i afrohet trupit të Jezusit, bie ndesh me salltanetin, banalizimin dhe madhështinë e funeraleve të të pushtetshmëve të kësaj bote. Dëshmia e Jozefit na kujton të gjithë ata të krishterë, që edhe sot, vënë në rrezik jetën për një funeral.

         Kush mund ta priste trupin pa jetë të Jezusit, përveç asaj, që ia kishte dhënë jetën?Mund t’i imagjinojmë ndjenjat e Marisë, që e pret ndër krahët e saj, ajo, që besoi në fjalët e Engjëllit e mbajti gjithçka në zemër të vet.

         Maria, ndërsa përqafon birin e saj pa jetë, përsërit edhe një herë “fiat” – ashtu qoftë. Është drama dhe prova e fesë. Asnjë krijesë nuk ka vuajtur si Maria, nëna, që na ka rilindur të gjithëve në fe, në këmbët e kryqit.

Përsëriste lutjen e kësaj bote:

“O Atë, Abbà, nëse është e mundur…”.

Vetëm një degë ulliri

lëkundej mbi kryet e tij

nga një puhizë e heshtur…

Por asnjë gjemb ti

nuk ia hoqe nga kurora.

I shporuar edhe mendimi

nuk mund, nuk mundet atje lart

të mos gjakoset mendimi!

E as edhe një dorë

nuk ia lirove nga gozhdat në dru:

që të thahej nga sytë

gjaku

e t’i jepje mundësinë

të shihte

së paku të Ëmën atje,

vetëm…

Deri edhe të pushtetshmit

e mjeshtrit e mizorisë

e njerëzit, kur e shihnin

mbulonin fytyrën

e Ai lëkundej brenda

një reje:

brenda resë së lëshimit hyjnor

E më vonë, vetëm më vonë

Ti e ne, duke i dhënë jetën.

(Atë Turoldo)

 

                                                       Ndalesa e 14-të dhe e fundit

                                                               Jezusin e varrosin

Nga Ungjilli sipas Mateut (27, 59-60): “Jozefi mori trupin, e mbështolli në pëlhurë të pastër dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që e kishte çelur në shkëmb. Pastaj rrokullisi në derë një gur të madh dhe shkoi”.

         Ndërsa Jozefi mbyll varrin e Jezusit, Krishti zbret në ferr dhe ia shpartallon dyert. Atë që Kisha Perëndimore e quan “zbritje në ferr”, Kisha Lindore e kremton si Anastasi, pra “Ringjallje”. Kishat motra i komunikojnë kështu njeriut, të Vërtetën e plotë të këtij Misteri të vetëm: “Ja, unë do t’i hap varret tuaja dhe do t’ju nxjerr nga varret tuaja, o populli im. Do t’jua jap shpirtin tim dhe ju do ta rifitoni jetën” (Ez 37, 12.14).

         Kisha jote, o Zot, çdo mëngjes këndon: “Në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë, që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin, për të shndritur ata që gjenden në errësirë dhe në hijen e vdekjes” (Lk 1, 78-79).

         Njeriu, i verbuar nga dritat, që kanë ngjyrën e errësirës, i nxitur nga forcat e së keqes, rrotulloi një gur të madh dhe ta mbylli varrin. Por ne e dimë se Ti, o Zot i përvujtë, në heshtjen në të cilën të ka lënë liria jonë, vepron më shumë se kurrë për të krijuar një hir të ri në njeriun, që e do. Hyr pra, në varret tona: gjallëroje shkëndijën e dashurisë tënde në zemrën e çdo njeriu, në gjirin e çdo familjeje, në udhën e çdo populli.

O Krisht, Jezus!

Të gjithë ecim drejt vdekjes

e drejt varrit.

Na lejo që me shpirt, të ndalemi

pranë varrit tënd.

Që fuqia e Jetës,

dëftuar në të,

t’i shporojë zemrat tona.

E kjo Jetë të bëhet

Dritë e shtegtimit tonë mbi tokë.

Amen

(Shën Gjon Pali II)

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.