2016-03-25 17:55:00

Amfiteatri Flavio - Koloseum


Në vitin 72 pas Krishtit, dy vjet pas pushtimit të Jeruzalemit, perandori romak Vespasiani zgjodhi një zonë ndërmjet Palatinit, Eskuilinit dhe Çelios, për ndërtimin e një amfiteatri të ri. Teatri, që e merr emrin nga familja mbretërore – “gens Flavia” – u përurua në vitin 80 pas Krishtit nga perandori Titi (i biri i Vespasianit) me një festë, që zgjati 100 ditë.

Ndërtimi i tij u financua nga taksat provinciale dhe nga plaçkitja e Tempullit të Jeruzalemit. Amfiteatri ishte ndërtesa më madhështore e kohës dhe u ngrit në luginën ku dikur ndodhej një liqen i vogël artificial i pallatit perandorak neronian, Domus Aurea. Me formë eliptike, aksi më i madh zgjatet për 188 metra, ndërsa ai më i vogël, 156 m. Perimetri është 527 metra, ndërsa lartësia, 50 metra. Për realizimin e tij janë përdorur mëse 100 mijë metra kub mermeri travertin, tulla dhe blloqe shtufi.

Brenda tij mund të uleshin në 5 sektorë horizontalë, deri në 50 mijë spektatorë, sipas një hierarkie të rreptë, bazuar në pozitën shoqërore. Arena kishte dysheme prej druri, të mbuluar me rërë e vendet më të afërta me të u rezervoheshin senatorëve, ato më të largëta, plebejve. Të gjithë hynin falas përmes 80 harqeve, prej të cilave 76 kishin numër (disa shihen edhe sot), ndërsa të tjerat përdoreshin për shërbime të ndryshme, ose u rezervoheshin të ftuarve të nderit.

Perandori Domician jo vetëm që e plotësoi me një rend të fundit shkallësh, por ndërtoi edhe struktura të gjera të nëndheshme, që u përdorën si magazina e kafazë, lidhur me korridore si me kazermën e gladiatorëve, ashtu edhe me ambientin e jashtëm (82 p.K.). Së fundi, u shtuan një sërë ndërtesash si palestra, depo dhe një spital. Hera e fundit që amfitetatri u përdor për luftime ndërmjet gladiatorësh, që vinin nga e gjithë perandoria, daton në vitin 523 pas Krishtit. Qe nga ajo kohë, amfiteatri kishte pësuar shumë dëme, për shkak të zjarrit dhe tërmeteve, që sollën po aq restaurime e rindërtime.

Nuk u përdor më për lojra, prandaj monumenti u zhvesh sistematikisht nga materialet e ndërtimit, siç ishte zakoni në Mesjetë. Materiale nga Koloseumi janë përdorur në Pallatin e sheshit Venezia, Pallatin e Kancelarisë e në Bazilikën e Shën Pjetrit. Në këtë periudhë i jepet emri “Koloseum”, që ndoshta është kujtim i Kolosit të Neronit, 35 metra i lartë, që ndodhej në afërsi të tij.

Vetëm në shekullin e 16-të afiromohet tradita (gjithsesi, e paprovuar), që e identifikon Koloseumin me vendin e martirizimit të të krishterëve të parë. Për këtë arsye, në vitin 1750, Papa Benedikti XIV e deklaron vend të shenjtë dhe ngre një kryq të madh prej druri në qendër të arenës, duke shtuar edhe 14 kamaret e ndalesave të “Udhës së Kryqit”.

Në fillim të shekullit të 19-të fillojnë punimet e konsolidimit e të restaurimit. Më vonë, bëhen hetime e gërmime arkeologjike, që nxjerrin në dritë ambientet e nëndheshme të arenës. Koloseumi, që ishte kthyer në rrënojë, do të bëhej sërish monument.








All the contents on this site are copyrighted ©.