2016-03-24 14:03:00

Kujt i lan këmbët Papa në Meshën e Darkës së Mbrame të Pashkëve? Myslimani: nuk jemi terroristë


Papa Françesku hap sot pasdite Treditëshin e Pashkëve duke kremtuar në ora 17.00 Meshën in Coena Domini me 892 emigrantë dhe refugjatë të strehuar pranë Qendrës Cara në Castelnuovo di Porto, në periferi të Romës, një nga qendra më të rëndësishme të Italisë për refugjatë. 

Një nga myslimanët e Qendrës së Castelnuovo di Portos, në perfiferi të Romës, senegalezi Kamasso Guiro, 30 vjeçar, në një letër, që u bë e njohur nga televizioni katolik italian Tv2000, por që i dorëzohet sot Papës Françesku bashkë me të tjera, shkruan: “Dua t’i them Papës se myslimanët nuk janë terroristë. Më vjen keq për çka ndodhi në Francë e në Belgjikë”.

“Jam larguar nga Senegali gjatë luftës, ku humba gruan dhe babain e mbeta vetëm – tregon Guiro historinë e vet. Erdha në Itali për të filluar një jetë të re, për të punuar e jetuar në një vend paqeje. Prej kohësh, kam dashur ta takoj Papën, pavarësisht se jam mysliman, për ta falenderuar për gjithçka bën për të varfërit e për paqen. I uroj Papës Françesku jetë të gjatë e shëndet. Falënderoj Italinë se më shpëtoi jetën”.

Papa i lan këmbët myslimanit nga Mali

Ndër 12 të rinjtë, të cilëve Ati i Shenjtë Bergoglio u lan këmbët, është edhe myslimani 37-vjeçar nga Mali, Sira Madigata. “Jam këtu në Itali që prej 20 muajsh – thotë ai. Kam bërë një udhëtim të gjatë e të rrezikshëm në shkretëtirë e në det. Edhe mund të kisha vdekur. Për ne myslimanët ç’ndodh sot është simbol i paqes. Jam mysliman e m'i lan këmbët një person kaq i madh si Papa Françesku, kreu i katolikëve. Kjo do të thotë se bashkëjetesa është e mundur kudo”.

Veprimtarja italiane, ndër të dymbëdhjetët

Ndër të dymbëdhjetët është edhe një vajzë italiane, që punon për kooperativën “Auxilium”. “Kam pas shpine një histori të dhimbshme – tregon Angela Ferri. Para 20 ditësh humba nënën e Auxilium më bëri këtë dhuratë, të më lajë këmbët një Papë si Françesku, që më jep forcë”. Luchia Mesfun është gruaja eritrease, që ka përshkuar Mesdheun shtatzanë, për ta nxjerrë në jetë fëmijën, që mbante në kraharor. Ndodhet në Itali që prej 5 muajsh e vajzës ia ka vënë emrin “Merhawit”, që do të thotë “liri”. “Nuk ka fjalë për ta shpjeguar lumturinë time” shpreh ajo gjendjen shpirtërore të dymbëdhjetë vetëve, para të cilëve Papa Françesku përgjunjet për t’u larë këmbët.








All the contents on this site are copyrighted ©.