2016-03-23 15:28:00

Shtatorja e “Jezusit të pastrehë” në Vatikan


Një shtatore e Jezusit, që përfaqëson një të pastrehë të shtrirë në një stol parku, i mbështjellë me një mbulojë të lehtë, nga e cila dalin vetëm këmbët me shenjat e gozhdave të kryqëzimit, është skulptura në bronz, që gjatë Javës së Madhe, në këtë Vit Shenjt të Mëshirës, do të vendoset në oborrin e Shën Egjidit në Vatikan, pikërisht para hyrjes në zyrat e Lëmoshtarisë Apostolike.

Në të varfërit dhe në të fundmit, fytyra e prania e Krishtit

         Vepra, hiper-realiste, është realizuar nga skulptori kanadez Timothy P. Schmalz. Artistit i erdhi ideja ta paraqiste në këtë mënyrë origjinale Krishtin, pasi pa një të pastrehë, që flinte në një stol, jashtë, gjatë festave të Krishtlindjes. “Kur shohim të varfërit – shkruan skulptori – duhet të shohim Jezu Krishtin”. Në të varfërit e në të fundmit është fytyra e prania e Krishtit, pasi siç na ka thënë Jezusi: “Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt 25,40).

Papa Françesku është pranë të mënjanuarve

         Në nëntor 2013, gjatë audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, autori pati mundësinë t’i paraqiste Papës një kopje të shtatores, në format më të vogël. “Kur Ati i Shenjtë e pa veprën – tregon skulptori për mediat amerikane – preku gjunjët dhe këmbët e u lut. Papa Françesku po bën pikërisht këtë, u afrohet të mënjanuarve”.

Kopje e shtatores në shumë anë të botës

         Shtatorja, që iu dhurua Lëmoshtarisë Apostolike me nismën e vetë skulptorit, është e derdhur në bronz dhe ekzemplari i parë i saj është vendosur, në vitin 2013, në Toronto, pranë Regis College, Fakultetit teologjik të jezuitëve. Kopje të tjera janë vendosur anekënd botës e akoma ka kërkesa. Një nga skulpturat e artistit Timothy Schmalz, që përfaqëson Jezusin lypës, është vendosur në hyrjen qendrore të spitalit të Shpirtit Shenjt në Romë.








All the contents on this site are copyrighted ©.