2016-03-23 14:55:00

Më 24 mars, Dita e Misionarëve Martirë


Që nga viti 1993, me nismën e Lëvizjes Rinore të Veprave Papnore Misionare, çdo vit, më 24 mars, kremtohet “Dita e lutjes dhe e agjërimit në kujtim të misionarëve martirë”. Pikërisht më 24 mars 1980 u vra imzot Oscar Arnulfo Romero, kryeipeshkëv i San Salvadorit, shpallur i Lum më 23 maj 2015. E në këtë Ditë, besimtarët ftohen të luten e të kujtojnë të gjithë ata, që kanë derdhur gjakun për Ungjillin. Këtë vit, njofton agjencia katolike Fides, Dita përkon me të Enjten e Madhe të Pashkëve, prandaj bashkësitë e krishtera mund ta kremtojnë edhe një herë tjetër, kur ta shohin më të arsyeshme.

Tema e këtij viti: “Gra e burra të mëshirës”

Në Jubileun e jashtëzakonshëm të Mëshirës, që po përjetojmë, Dita ka si temë “Gra e burra të mëshirës”. Pikërisht martirët kanë ditur ta jetojnë trashëgiminë e misionit të Jezusit, kanë ditur t’u çojnë një fjalë e një gjest ngushëllimi të varfërve, të lajmërojnë çlirimin e atyre, që ndjehen të burgosur nga skllavëritë e shoqërisë moderne, t’u kthejnë shikimin atyre, që nuk arrijnë më të shohin, sepse të përkulur mbi vetveten, ose sepse dikush i ka verbuar. Jezusi është Fytyra e Mëshirshme e Atit Qiellor; në Të, fytyrat e sa e sa martirëve, edhe shqiptarë, gurë të një mozaiku, që na zbulon ikonën e një Zoti të pasur me mëshirë.

Një doracak për Ditën

Doracaku i përgatitur për Ditën e nesërme, që mund të shihet në faqen e internetit të Missio Italia, përmban një reflektim teologjik mbi temën, profilet e katër misionarëve të vrarë, listën e misionarëve të vrarë në vitin 2015 dhe disa sugjerime për lutje: Udhën e Kryqit, Liturgjinë Pendestare, Lectio, Mbrëmjen e lutjes e Adhurimin Eukaristik.








All the contents on this site are copyrighted ©.