2016-03-22 15:54:00

Të Enjten e Madhe të Pashkëve, Papa do t’u lajë këmbët 12 refugjatëve


Papa Françesku do ta kremtojë Meshën “in Cena Domini”, të Enjten e Madhe të Pashkëve, në Qendrën e Mikpritjes për Azilkërkuesit, në Castelnuovo di Porto, afër Romës, ku do t’u lajë këmbët 12 refugjatëve. Lajmin e dha sot, kryetari i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, imzot Rino Fisichella.

Kështu, Ati i Shenjtë Françesku do të ulet në gjunjë për t’u larë e fshirë këmbët njerëzve, të cilëve shumë vetë, as që do t’u afroheshin, ndërsa Evropa “civile dhe demokratike” ngre barrikada me tela me gjemba, kujtesë e një kohe, që askush nuk dëshiron të kthehet. Shumë-shumë jep para “për të qetësuar ndërgjegjen”. Por, nuk e ngatërron asnjëherë simetrinë: ne këndej, ndërsa emigrantët nga ana tjetër, diametralisht të kundërt.

Ndërgjegjja e heshtuar e të pasurve

Imzot Rino Fisichella fotografon me realizëm kuadrin ndërkombëtar të emigracionit dhe e krahason me vendimet e Papës Françesku. Ndërsa, shkruan në një artikull në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, “vendet e pasura të Perëndimit vijojnë në moskokëçarjen e tyre, indiferentë” para “dramës, që shkandullon për zgjatjen dhe për numrin e njerëzve të përfshirë në të, s’kalon muaj që Papa të mos mobilizohet personalisht për të treguar vlerën e mikpritjes, cilado qoftë varfëria shoqërore, që e kërkon këtë”.

I gjunjëzuar para 12 refugjatëve

Që nga Lutja e Engjëllit të Tënzot, më 6 shtatorin e kaluar, gjatë së cilës nxiti famullitë e strukturat kishtare t’i hapin dyert për të strehuar një familje refugjatësh, nga dhjetori në shkurt, Françesku ka përqafuar të pastrehë, të moshuar, të sëmurë në gjendje vegjetative e të rinj të droguar, për të arritur, tani që po vijnë Pashkët, në gjestin kaq të dashur për të: larja e këmbëve në të Enjten e Madhe për njerëz, që zakonisht vulosen si hedhurina. Gjesti me 12 refugjatët e strukturës së Castelnuovo di Porto, shkruan imzot Fisichella, “do të jetë i thjeshtë, por i qartë”, “shenjë shërbimi e kujdesi ndaj kushteve të tyre”, gjest mëshire. Për të qenë përvojë e plotë, ky gjest, sipas imzot Fisichella-s, duhet të ndryshojë zemra e t’i kthejë njerëzit në mjete të mëshirës. Pra, mikpritja e refugjatëve bëhet për të krishterët, shprehje e prekshme e përjetimit të Jubileut.

Respekti, udha kryesore e paqes

Duke u përgjunjur për t’u larë këmbët refugjatëve, Papa Françesku, thekson kreu i dikasterit për Ungjillëzimin e Ri, “dëshiron të na thotë se në këtë çast historik, duhet t’u kushtojmë më tepër vëmendje të brishtëve; se jemi të gjithë të thirrur t’u kthejmë atyre dinjitetin, pa dredhuar. Papa na nxit t’i shohim Pashkët me sytë e njeriut, që e zbaton fenë në jetë, në shërbim të atyre, që kanë në fytyrë shenjat e vuajtjes e të dhunës. E duke pasur parasysh se shumë nga këta refugjatë nuk janë katolikë, nënvizon imzot Fisichella, gjesti i Papës Françesku na tregon udhën e respektit si rrugë kryesore drejt paqes.








All the contents on this site are copyrighted ©.