2016-03-22 18:02:00

Solidariteti i ipeshkvijve evropianë me Belgjikën


Dhimbje e lutje. Kështu ipeshkvijtë katolikë të Belgjikës reagojnë ndaj atentateve që kanë tronditur sot në mëngjes qytetin e Brukselit.

Vendi t’i jeton këto ditë me përgjegjësi të madhe qytetare

“Ipeshkvijtë e Belgjikës – lexohet në një deklaratë për shtyp – janë të tronditur – nga lajmi i atentateve që goditi aeroportin e Zaventem dhe qendrën e Brukselit. Ata shprehin ankthin e tyre për këtë ngjarje të frikshme dhe nënvizojnë se do të luten për viktimat e për situatën tragjike të vendit. Prelatët katolikë të Belgjikës, njofton drejtori i Sallës së Shtypit të Konferencës Ipeshkëvnore të Belgjikës, ndajnë “ankthin e mijëra udhëtarëve e të familjeve të tyre, të punonjësve të aviacionit dhe të ekipit të ndihmës së shpejtë, që janë sërish në vijën e parë të frontit. Ia besojnë lutjes gjithë këtë situatë të re dramatike, në veçanti, viktimat”. Konferenca ipeshkëvnore belge njofton gjithashtu se të gjithë kapelanët (priftërinjtë) e aeroportit janë në shërbim dhe ofrojnë mbështetjen shpirtërore të nevojshme”. Episkopati belg përfundon me një thirrje: “Që mbarë Vendi të mund t’i jetojë këto ditë me përgjegjësi qytetare”.

Solidariteti i ipeshkvijve evropianë

E dhimbjes së ipeshkvijve belgë, së bashku me Papa Françeskun, i bashkohen ipeshkvijtë katolikë të mbarë Evropës. Kardinali Péter Edrë, presidenti i Ccee, flet për një “akt çnjerëzor”, shpreh ngushëllimet për viktimat e afërsinë ndaj familjarëve të tyre, dhe fton “të mos biem pre e frikës dhe të lutemi për paqen në Evropë, në Lindje të Mesme e në mbarë botën”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.