2016-03-22 17:50:00

Hakmarrje, apo dëshmi force?


Tepër i shkurtë lehtësimi për kapjen e Salah Abdelslam. Katër ditë pas arrestimit të atij, që pandehet si një nga shestuesit e sulmeve të  nëntorit në Paris, terrorizmi xhihadist, me bazë në Belgjikë, goditi tragjikisht, me një sulm të koordinuar, duke mbjellë vdekje në aeroportin ndërkombëtar dhe në dy stacione qendrore të metropolitanës, në orën kulmore të paradites.

Një provë e re, që tregon sa të rrezikuar jemi nga sulmet kamikaze ose nga bombat e lëna në vende publike të populluara, ku asnjë masë sigurie nuk është aq e saktë, sa të garantojë mbrojtjen e vërtetë. Autoritetet belge qenë shumë të vetëdijshme për rrezikun e një raprezaljeje e, me sa duket, alarmi ishte në kulm në të gjitha objekivat, që mund të rrezikoheshin.

E megjithatë, terroristët mundën të veprojnë, pak ditë pas  disfatës që pësuan me fundin e fshehjes së Salahut. Si u sqarua kush ishin atentatorët, edhe falë shërbimit të sigurisë, mund të arsyetohet mbi mundësinë e parandalimit të aksioneve si këta, që u kryen në nyjtimin kyç të transportit të kryeqytetit të Evropës. Nëse u vunë në shënjestër infrastrukturat ku kalojnë të gjithë eskponentët politikë, që bëjnë pjesë në organizmat e BE-së, është më i mundshëm një motivacion “lokal”.

Me sa duket synimi ishte të merrej hak e të jepej një dëshmi force, më shumë sesa të frikësoheshin institucionet kontinentale: “Jemi këtu e mund të veprojmë kur e si të duam”, duket se është mesazhi i valës shkatërrimtare që i ra mbi kokë Brukselit. E, posaçërisht, edhe “jemi shumë”. E ky, për fat të keq, është edhe elementi më shqetësues i kësaj ngjarjeje tragjike. Mundësia, që iu krijua Abdelslamit të fshihej për katër muaj rresht në shtëpinë  e tij, tregon se njerëzit, që e ndihmuan, janë  të shumtë e të gjithëpranishëm. Atentatet më gjakatare në historinë e Belgjikës mund të ishin në fazën përgatitore, por u përshpejtuan, ose u vunë në jetë rrufeshëm. Gjithsesi, e në të gjitha rastet e mundshme, dëshmojnë se xhihadistët janë gati të hidhen në erë të dalldisur nga kllapia e kauzës së fundamentalizmit islamik e, qofshin anëtarë të Isisit ose jo, janë të shumënumërt e tragjikisht “të aftë”.

Paradoksalisht, mbyllja e gjithë vendit, me avione e trena të ndaluar në stacione e me kufij të vulosur, nuk bën tjetër, veçse ta theksojë efektin e terrorit, duke vënë simbolikisht edhe më në pah, forcën e tyre. Është vonë për t’i ndaluar masakrat e ka shumë mundësi që bllokimi nuk do të lejojë të kapen terroristë të tjerë, por njëkohësisht këto masa mund të kenë si pasojë thellimin e frikës për sulme të reja e t’i kufizojnë ndjeshëm veprimtaritë publike dhe ekonomike, duke shkaktuar edhe më shumë dëme e trazira. Vështirë të mos merren masa të tilla parandaluese, por të gjitha reagimet emotive nuk bëjnë tjetër, veçse t’u sigurojnë suksesin atyre, që duan të përhapin frikë, tmerr e terror. Nuk ka rrugë tjetër, veç asaj të izolimit të ekstremistëve, para se të lëshojnë rrënjë e t’i shtrijnë rrjetet e tyre helmuese të rekrutimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.