2016-03-21 18:07:00

Obama i shtrëngon dorën Raul Kastros në Kubë


“Ky udhëtim përfaqëson një mundësi historike për t’u impenjuar me popullin kuban”. Kështu deklaroi presidenti amerikan Barak Obama, që mbërriti dje në aeroportin e Havanës, për vizitën e parë të një presidenti të SHBA-ve pas 88 vjetësh. I fundit, që shkeli në ishull, ka qenë presidenti Calvin Coolidge në vitin 1928.

         Sot, rezultati i parë i një pune të gjatë diplomatike, në të cilën qe vendimtare ndërhyrja e Selisë së Shenjtë dhe e Papës Françesku për shkrirjen e akullit ndërmjet dy vendeve. Barak Obama u takua për një orë e gjysëm me presidentin aktual kuban, Raul Kastro, me të cilin shtrëngoi dorën para gazetarëve, në fillim të bisedimeve.

         Në Pallatin e Revolucionit, lavdi e komunizmit të Fidel Kastros, tingëlluan notat e himnit amerikan. Pastaj, u ekzekutua himni kuban e të dy presidentët kaluan në mes të gardës së nderit. Gjëra të zakonshme, si prezantimi i delegacionit e ndonjë batutë me komandantin, por që në kuadrin e kësaj vizite marrin ngjyra të jashtëzakonshme, pikërisht sepse është hera e parë, që Obama i bën ato në Havanë. Gjithsesi, kjo është biseda e tretë ndërmjet dy presidentëve. E para u mbajt në Panama, në prill të vitit të kaluar, në kuadrin e mbledhjes së dy Amerikave, ndërsa e dyta, në shtator, në Nju Jork, në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

         Para takimit me Raul Kastron, Obama shkoi në memorialin e Jose Marti, për të nderuar shkrimtarin e heroin e pavarësisë së Kubës. Po sot, në Havanë, takohen afaristët kubanë e amerikanë për të parë mënyrën e hapjes së Kubës për tregun privat. Për Obamën nuk ka vend më të mirë se Havana për t’i treguar kombit të vet dhe botës se afrimi e jo izolimi mund të sjellë më shumë ndryshime në një ishull komunist. Ndërsa për kubanët, çështja është: a do të jetë në gjendje qeveria e tyre të mbajë premtimin për hapjen e shoqërisë, apo këto janë vetëm fjalë, përfshirë bisedimet me presidentin amerikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.