2016-03-21 14:29:00

Atë Ronchi: Kryqi i Krishtit nuk kuptohet, por duhet


Udha e nisur me ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve, e jetuar kohët e fundit nga Papa e bashkëpunëtorët e tij të Kuries Romake në Ariccia, ishte prelud i “kohës së fortë” të Javës së Madhe. Në mikrofonin tonë, autori i meditimeve, atë Ermes Ronchi, rregulltar i Urdhërit të Shërbëtorëve të Marisë, reflekton për frytet e kësaj përvoje të lutjes si dhe për udhën e fesë, drejt Pashkëve:

Përgjigje: - Gjëja më e bukur, që më mbeti nga kjo përvojë, është afërsia me Papën Françesku. Munda ta shikoj nga afër se është njeri i paqes, që rrezaton paqe, ta ngjit paqen. Ka një vështrim të veçantë për secilin e është thellësisht i pranishëm në gjithçka bën,  në takimin me çdo njeri, në lutje… Është i pranishëm plotësisht, siç janë njerëzit e dashuruar, që i kanë zemër e shpirt, gjeste e korp, të pranishëm plotësisht në atë çast. E vëreja këtë sjellje të tij me emocion të thellë. Besoj se përvoja më e bukur ishte takimi me një njeri kaq të ndjeshëm, kaq të realizuar, kaq të përsosur, që të bën të ndjehesh mirë, kur i rri pranë.

Pyetje: -  Si ishte atmosfera dhe pjesëmarrja në ditët e ushtrimeve shpirtërore?

Përgjigje: - Ishin rreth shtatëdhjetë bashkëpunëtorë të Papës, kardinaj, ipeshkvij e të ngarkuar me punë. Atmosfera ishte shumë e heshtur, medituese. Heshtja e thellë mbretëronte edhe gjatë ditës. Pastaj ishin edhe ditë të ritmuara nga lutja. U përpoqa ta shpërndaja lutjen gjatë gjithë ditës, që të ishte çasti kryesor e të linte gjurmë në shpirtin e pjesëmarrësve.

Pyetje: - Në meditimet tuaja krijohej përshtypja se ju i ftonit dëgjuesit të  lidheshin trup për turp, zemër për zemër, me Zotin, duke propozuar një fe, që jetohet me mish e  me shpirt. Është korrekt ky interpretim?

Përgjigje: - Po, është korrekt, nga që unë besoj se si shpresa, ashtu edhe dashuria, nuk janë teori, por shprehje ekzistenciale, e madje, pasionale. Feja duhet të jetë pasion për jetën. Shpresa, pasion për buzëqeshjen e mundshme, për ardhmërinë e mundshme. E dashuria, çfarë mund të jetë tjetër, përveçse pasion? Prej këndej, mund të themi se feja është formë e apasionuar e të jetuarit, e ne kemi një Zot të pasionuar për njerëzimin  deri në atë pikë, sa të pranojë kryqin e të na e dhurojë si shenjë të  Pasionit të Tij, të Mundimit të Tij për ne, në kuptimin e dyfishtë të fjalës: të mundohesh e të pasionohesh. Jemi në ditët e Pashkëve, ditët e mundimeve, të pasionit, e besoj se kuptimi i dyfishtë e kësaj fjale do të mund të na e ndriçojë me të vërtetë rrugën.

Pyetje: - Atë Ronchi, pikërisht të diel, më 13 mars, u kremtua tre vjetori i papnisë së Françeskut. Sipas jush, cila është reforma më e rëndësishme, që po e çon përpara Papa?

Përgjigje: - Reforma e tij më e rëndësishme besoj të jetë kjo e papnisë. Kemi sot si papë një njeri, që solli pranverën në Kishë. Pranverë në marrëdhëniet. E shkundi pluhurin e pleqërisë në të gjithë aparatin, në të gjitha përpjekjet për t’u dukur. Besoj se gjëja më e bukur është vetë Papa Françesku, që ka aftësi ta vërë secilin në vendin e vet e, njëkohësisht, ta vërë para zgjedhjes së rrugëve themelore, por me dashuri, me dashurinë luftarake të Ungjillit. E pastaj do të ketë edhe shumë gjëra të tjera, që do t’i shikojmë si do të shkojnë përpara lidhur me reformën. Por për mua është reforma e papnisë: pikërisht e gjallërisë, e freskisë, e pranverës që solli Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.