2016-03-20 14:00:00

U kremtua sot Dita Botërore e Lumturisë


U kremtua sot, në të dielën e blertë, me lari e rrema palmash, nësa bleron gjithë bota, Dita Ndërkombëtare e Lumturisë e themeluar nga OKB-ja, më 2012-tën.

Lumturi! Një nga fjalët më të kërkuara, ndërmjet miliona fjalëve, që shqiptohen në gjuhët e botës. Lumturi! Fjala që ngjall më shumë pyetje e më shumë dëshira në zemrën njerëzore, e cila e kërkon gjithë jetën,  shpesh pa e gjetur kurrë, ose duke e gjetur pikërisht, kur e ku nuk pritet.

Por, ç’kuptojmë me këtë fjalë? Ndonëse vështirë të gjindet një përkufizim i saktë, sipas atit të psikologjisë pozitive, Martin Selingman, 60% e lumturisë sonë varet nga genet tona dhe nga mjedisi, ku jetojmë, 40%-shi tjetër varet nga ne vetë.

Thuhet se lumturia është edhe ngjitëse. Punonjësit shkencorë të universitetit të Harvardit zbuluan se kur një njeri është i lumtur, miku i tij, që i rri pranë, ka 25% mundësi të ndjehet edhe ai i lumtur. E, sipas një kërkimi kryer mbi vullnetariatin, njerëzit që e kalojnë shumicën e kohës, duke ndihmuar të tjerët, janë nga më të lumturit.

Për lumturinë janë thënë qindra fjalë e shprehje, që tregojë sa shumë kërkohet nga njerëzit.

Të gjithë njerëzit duan të jenë të lumtur, por për ta arritur lumturinë, së pari duhet kuptuar ç’do të thotë lumturi, na kujton Jean-Jacques Rousseau.

Lumturia është gjithnjë njëlloj, ndërsa fatkeqësia mund të ketë një mori formash. Tolstoi shkruan: “Lumturia është alegori, fatkeqësia, histori”.

Kur vijoja shkollën, më pyesnin shpesh: “Ç’dëshiron të bëhesh kur të rritesh?”.  “Dua të bëhem i lumtur” – përgjigjesha, na kujton një njeri pa emër (anonim).

Njeri i lum është ai, në shpirtin e të cilit nuk ka asnjë gjurmë ligësie, thekson filozofi i fashmëm i lashtësisë, Platoni.

Ta kërkosh lumturinë jashtë shpirtit tënd, është si të presësh të lindë dielli në fundin e një shpelle të zezë, pa fund, thotë një fjalë e urë tibetiane.

E ndërmjet fjalëve të urta të shqiptarëve, zgjodhëm:

Lumturia është një gjë e përkohshme, por kthehet ta vizitojë shpesh njeriun që di ta presë mirë!

Lumturia është e vetmja gjë në botë, që nuk blihet me flori.

E, së fundi, më e rëndësishmja: "Në Ungjillin e Krishtit mund të lexojmë një fjalim të tërë kushtuar lumturisë. Titullohet 'Fjalimi mbi mal'”(krh  Mateu 5,1-12; Luka: 6,17-49)

Por, sa njerëz e kanë ndjerë vetën të lumtur, sot, që u kremtua Dita e Lumturisë?

 








All the contents on this site are copyrighted ©.