2016-03-20 14:00:00

Sot, Dita Botërore të Rinisë


Dita e Larit përkon edhe me Ditët Botërore të Rinisë (World Youth Day). Dita e parë Botërore e Rinisë është ajo e vitit 1985, mbledhur me nismën e Gjon Palit II, që pohonte: “U themelua nga vetë të rinjtë”.

Kjo Ditë kremtohet në nivel dioqezan në vitet, kur nuk kremtohet  në nivel ndërkombëtar.

Sivjet  kremtohet në të gjitha dioqezat më 20 mars 2016, me syrin drejtuar nga Dita Botërore e Rinisë, që do t’i mbledhë përfaqësuesit e rinisë botërore në Krakov të Polonisë, nga 25 deri më 31 korrik 2016, në praninë e Papës Françesku.

Dita e Rinisë, sipas ndjeteve të organizatorëve, duhet të jetë shtegtim, që nis me përgatitjen për udhë, vijon me takimin, kulm i festës e, si çdo shtegtim përfundon me kthimin, që gjithsesi, është fundi i një udhe, por jo i gjithë shtegtimit. Udha vazhdon.

E kjo, pse DBR-së është shtegtim, që nuk mbaron kurrë, ashtu si nuk mbaron ecja mbas Krishtit e Nënës së Tij. Në gjurmët e tyre mësohemi të jetojmë si vëllezër e bij të të njëjtit Atë. Edhe ikona biblike, e zgjedhur me këtë rast, paraqet popullin në shtegtim drejt Fytyrës së vërtetë të Krishtit.

Në shkurt 2014 Papa Françesku pati caktuar temat e edicioneve të Ditës  Botërore të Rinisë, si dhe ato të shtegtimit shpirtëror të përgatitjes tre vjeçare, para takimit të Krakovit.

Për DBR-në 2016 tema e zgjedhur është “Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë” (Mt 5,7).  

Për DBR-në dioqezane të 2014-tës ishte “Lum të varfrit në shpirt, se e tyre do të jetë mbretëria e qiejve” (Mt 5,3); për të 2015-tës,  “Lum të pastrit në zemër, sepse do të shohin Hyjin” (Mt 5,8). Që të gjitha, të shkëputura nga Lumturitë Ungjillore.








All the contents on this site are copyrighted ©.