2016-03-20 17:45:00

Kardinali Parolin ndër refugjatët e Maqedonisë


Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, në ditën e dytë të vizitës së tij në Maqedoni, shkoi në kampin e refugjatëve në Gevgelija, në kufi me Greqinë. Prelati dëgjoi historitë tragjike të emigrantëve dhe kërkesat e tyre për hapjen e kufijve. I bëri thirrje Bashkimit Evropian të gjejë një rrugë, e cila të ketë në qendër aspektin humanitar të çështjes. Ja fjalët e tij:

         “Mendoj se Evropa mund ta bëjë këtë, sepse Evropa dallohet dhe është dalluar gjithmonë viteve të fundit, pas Luftrave Botërore, për frymën e saj humanitare e për respektin ndaj së drejtës humanitare. Prandaj, mund të themi se ekzistojnë vërtet kushtet për t’u mbledhur së bashku, për të reflektuar e për të kërkuar së bashku edhe zgjidhjet”.

Gjendja e refugjatëve

         Deri pak kohë më parë, kampi në Gevgelija ishte i mbushur me mijëra njerëz, por pas mbylljes së kufijve, aty kanë mbetur vetëm 25 vetë. Kardinali i takoi një për një, sidomos një nënë, së cilës i kanë vdekur të dy fëmijët, në përpjekjen për të kapërcyer lumin Suva Reka e për të arritur në tokën maqedonase. Pas marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian e Turqisë, që parashikon kthimin e tyre në tokën turke, refugjatët janë të dëshpëruar, pasi shpresonin për më mirë. Kardinali Parolin i kërkoi qeverisë maqedonase të mirëpresë të paktën një numër të kufizuar refugjatësh, duke pasur parasysh se nga ana tjetër e kufirit, në Idomeni të Greqisë, vetëm 700 metra më tej, ndodhen në kushte shumë të këqia 12 mijë vetë.

Vizita në Shkup e kardinalit Parolin

         Ndërkaq, në kuadrin e vizitës së tij në Maqedoni e në Bullgari, kardinali Parolin kremtoi meshën në katedralen e Zemrës së Krishtit në Shkup dhe u çoi besimtarëve përshëndetjen e Papës Françesku. Në vend, jeton një bashkësi prej 20 mijë besimtarësh katolikë, të cilën prelati e përkufizoi si “plot jetë dhe dinamizëm”, duke e nxitur të vijojë udhën e dialogut ekumenik e ndërfetar. Gjithashtu, ai pati edhe një takim me klerin e rregulltarët.








All the contents on this site are copyrighted ©.