2016-03-19 13:39:00

Më 19 mars kalendari Kishtar përkujton Shën Jozefin, pajtorin e Kishës universale


Më 19 mars bashkësia kishtare kremton Shën Jozefin, fat i Virgjërës Mari e Pajtor i Kishës universale. Sipas traditës, në festën e atit të adoptuar të Jezusit, kremtohet edhe festa e baballarëve.

Ky kremtim ka rrënjë të thella biblike: Jozefi është patriarku i fundit, të cilit Zoti i flet përmes udhës së përvuajtur të ëndrrave. Ashtu si Jozefi i Besëlidhjes së Vjetër, Shën Jozefi zdrukthëtar është njeri i drejtë e besnik (Mt 1,19), që Zoti e ka zgjedhur si rojtar të shtëpisë së vet. Ai lidh Jezusin, mbretin mesianik, me pasardhësin e Davidit. Fati i Marisë dhe ati adoptuar i Jezusit, Jozefi e udhëheq Familjen Shenjte në ikje dhe në kthim nga Egjipti, duke përshkuar rrugën e Daljes.

Shën Jozefi ishte njeri i drejtë, zbatues i ligjit, me profesion marangoz, që vuajti dramën e amësisë së mistershme hyjnore të Marisë. I lajmëruar nga Zoti në ëndërr, Jozefi e pranoi me fe planin e Hyjit. 40 ditë pas lindjes së Jezusit, Jozefi me Marinë e çuan foshnjën Hyjnore në Jeruzalem për ta paraqitur në tempull e atje takuan plakun Simeon, i cili parafoli një ardhmëri të vështirë e të mistershme për këtë fëmijë.

Jozefi e dëgjoi dhe i besoi përsëri Hyjit. Kur Jezusi mbushi 12 vjet, prindërit e morën me vete në shtegtim drejt Jerusalemit; e ja se në kthim e sipër, pa i njoftuar, Jezusi u ndalua në qytet. E ëma e pyeti pse ua kishte shkaktuar këtë pakënaqësi e Jezusi u dha një përgjigje që as Maria e as Jozefi nuk e kuptuan. E Jozefi uli kokën e u bind. Ky pra është Shën Jozefi: një besimtar që e ka lëshuar plotësisht vetveten në duart e Zotit.

Nganjëherë të krijohet përshtypja se figura e Shën Jozefit mbetet paksa e fshehur në hagjiografinë klasike. Për Shën Jozefin Ungjijtë dokumentojnë vetëm heshtjen e kjo po, është e jashtëzakonshme. Nënshtrimi absolut para vullnetit të Zotit, lëshimi i plotë i vetvetes në dorën e Zotit, bindja absolute përballë planit hyjnor të shëlbimit, edhe në gjërat më të natyrshmet, siç është dëshira e atësisë natyrore. Në këtë Jozefi ishte plotësisht heroik e gati gati i parapriu përgjigjes “Po, o Atë!” që do të jepte Jezusi.

Papa Piu IX e shpalli Pajtor qiellor të Kishës Universale; Papa Gjoni XXIII e radhiti emrin e shën Jozefit në Kanunin Romak (Meshari Romak).

Koncili II i Vatikanit ia ka kushtuar shën Jozefit kapitullin V të Kushtetutës mbi Kishën ku flitet për thirrjen e të gjithë të pagëzuarve për të ecur në rrugën e shenjtërisë.

Po kujtojmë se Papa Shën Gjon Pali II i kushtoi figurës dhe misionit të Shën Jozefit në jetën e Krishtit e të Kishës, nxitjen Apostolike “Redemptoris Custos” - “Rojtari i Shëlbuesit”, nënshkruar më 15 gusht 1989. E në Letrën apostolike Tertio Millennio adveniente, Papa Shën Gjon Pali II  propozoi punën baritore të zakonshme për promovimin e shenjtërisë.  E me fjalën shenjtëri nënkuptonte dhuratën për të jetuar çdo ditë si bij të Zotit, duke bërë vullnetin e Atit Qiellor.  Ashtu siç jetoi Shën Jozefi, me një besnikëri të jashtëzakonshme në realitetin e jetës së përditshme që i kishte caktuar Zoti.

Sot, pra bie edhe festa e baballarëve, të cilët nga figura e Shenjtit Jozef mund të nxjerrin shumë mësime të vlefshme. Para se gjithash duke konsideruar e trajtuar bijtë e tyre si dhuratë të madhe të Zotit, bijtë që duhen dashur e nuk duhen zotëruar. Këta kanë nevojë absolute për ndihmë gjatë rritjes, por gjithnjë duke respektuar lidhjen e tyre me Zotin e me vullnetin e Tij. Në një farë pike, figura e Jozefit zhduket: ndër Ungjijtë mbetet vetëm Jezusi. Kjo është edhe metafora e babait që pak nga pak u jep bijve të vet pavarësinë. Madje, duhet t’i ndihmojë që kjo pavarësi të arrihet sa më mirë që të jetë e mundur.








All the contents on this site are copyrighted ©.