2016-03-18 12:09:00

Viganò: Françesku në Instagram, papni përmes imazheve


Papa Françesku do të hapë nesër faqen e tij në Instagram, rrjeti shoqëror, në të cilin kushdo mund të publikojë fotografi dhe imazhe. Emri i faqes së Atit të Shenjtë do të jetë “Franciscus”. Kujtojmë se Papa ka edhe një faqe në Twitter, me emrin @Pontifex. Mbi rëndësinë e këtij vendimi, në përvjetorin e tretë të papnisë, intervistuam prefektin e Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò:

Papa pohon shpesh se imazhet i flasin shumë dhe e shpjegoi këtë vendim, duke thënë: “Kur një fëmijë më takon, më jep një vizatim. Unë e pyes për të e, përmes këtyre pyetjeve, fëmija, dalëngadalë, nxjerr në pah ç’ka dashur të paraqesë”. Pra, imazhet nuk janë fotokopje e realitetit, por thonë shumë më tepër: një hollësi, një aspekt të përkëdheljve të Papës, një bekim… Pra, ideja është ta tregojmë papninë përmes imazheve, në mënyrë që njerëzit, të cilët kanë dëshirë ta shoqërojnë, ose ta njohin papninë e Françeskut, të kenë mundësi t’i prekin këto gjeste dhembshurie e mëshire.

Çfarë duhet të presim nga faqja “Franciscus” në Instagram? Ç’lloj fotografish e videosh e cilat janë mesazhet, që mund të lidhen me këto imazhe?

 Instagrami nuk parashikon një arkiv të krijuar më parë, sepse është si albumi i fotografive: kur lind fëmija, i bëjnë një fotografi e pastaj vazhdohet deri sa këto fotografi të kthehen në album familjeje. Pra, çfarë do të bëjmë? Do të zgjedhim disa fotografi nga ato, që i bën Papës Shërbimi fotografik i gazetës “L’Osservatore Romano”, duke kapur disa detaje. Pra, ç’duhet të presim? Theksimin e atyre aspekteve të afërsisë, të dhembshurisë e të përfshirjes së të tjerëve në jetën e përditshme të Papës Françesku. Ideja është ta bëjmë publike këtë papni edhe përmes një aspekti emocional.

Kjo prani e re e Papës në rrjetet shoqërore bëhet gjatë Jubileut të Mëshirës. A ka ndonjë lidhje ndërmjet vendimit të Atit të Shenjtë dhe mesazhit të mëshirës, që propozohet gjatë këtij Viti?

Sigurisht, mesazhi është se duam t’i tregojmë gjestet e dhembshurisë e të mëshirës së Papës. E pastaj, ashtu si Jubileu i Mëshirës është “Jubile i shpërhapur” – në kuptimin e hapjes së Portave Shenjta në çdo vend të botës – pra, është disi “Jubile i globalizuar”, hyrja në një rrjet shoqëror, si Instagrami, do të thotë ta zgjerosh Sheshin e Shën Pjetrit apo t’i hapësh për të gjithë takimet e Papës, duke e kthyer çdo vend të botës në një pikë, në të cilën kushdo mund të takohet realisht me Atin e Shenjtë.

 “Rrjeti – shkruan Papa Françesku në mesazhin e tij të fundit për Komunikimet Shoqërore, kushtuar pikërisht binomit ‘komunikim e mëshirë’ – mund të përdoret mirë për të rritur një shoqëri të shëndoshë e të hapur”. Pas Twitter-it, Papa përdor Instagramin. Ndoshta dëshiron t’i inkurajojë edhe besimtarët për këtë?

Sigurisht! Rrjetet shoqërore janë rrjete që, në një farë mënyre, i zgjerojnë vërtet horizontet e marrëdhënieve njerëzore; janë marrëdhënie të ndryshme, por jo për këtë, të tilla që u kundërvihen atyre reale e nuk janë as më pak të vërteta se ato: janë thjesht, të ndryshme. E në këtë rast, Papa na tregon gjithë aspektin e tyre pozitiv.








All the contents on this site are copyrighted ©.