2016-03-18 16:04:00

Për të hyrë në Javën e Madhe të Pashkëve


Në kalendarin liturgjik katolik, e Diela e Larit, festohet një të diel para kremtimit të Pashkëve. Me të nis Java e Madhe dhe e Shenjtë e  Pashkëve.  Javës së Madhe i prin kremtimi i hyrjes së Jezusit në Jeruzalem, në të Dielën e Larit. Përmes tij rijetojmë mundimet, vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku do ta kryesojë Meshën e Mundimeve të Krishtit, me procesionin e palmave dhe bekimin e tyre, në Sheshin e Shën Pjetrit, duke nisur nga ora 09.30.

Të Hënën, të Martën e të Mërkurën Kisha kujton vajimin e Betanisë, kumtimin e tradhtisë së Judës, mohimin e Pjetrit dhe përgatitjen e Darkës së Pashkëve.

Pastaj fillon kremtimi i Triditëshit të Pashkëve, zemra e Vitit liturgjik: ashtu si e diela, që është zemër e javës.

Të Enjten e Madhe paradite ndër katedrale kremtohen Meshët e Bagmit, në të cilat ipeshkvi, i rrethuar nga diakonët dhe një përfaqësi e madhe e bashkësisë dioqezane, shuguron bagmin dhe bekon vajrat e katekumenëve  e të të sëmurëve; ndërsa meshtarët përsërisin kushtet e bëra, kur patën marrë shgurimin meshtarak.

Në Bazilikën e Vatikanit Mesha e Bagmit do të kremtohet në orën 09.30 , e kryesuar nga Papa Françesku.

Në mbrëmje kremtohet Mesha in Coena Domini, Darka e Mbrame e Zotit, prelud i Triditshit të Pashkëve të Zotit të vdekur, të varrosur e të ngjallur. Lexohet Ungjilli i Gjonit, në të cilin Jezusi ua lan këmbët dishepujve, simbol i jetës së tij, që s’është tjetër, veçse shërbim e dhurim. E, pas Ungjillit, edhe meshtari, që kryeson kremtimin, u lan këmbët 12 besimtarëve, simbol i 12 apostujve. Pjesëmarrja në Eukarisiti kërkon që besimtari të bëjë të veten  sjelljen e Krishtit, duke u vënë në shërbim të të tjerëve, gati për të dhuruar edhe jetën, që të mos përsëritet mohimi i Pjetrit e sidomos, tradhtia e Judës. Në përfundim të Meshës së darkës, Eukaristia sillet në elterin ku ruhet Hostia Shenjte, që shërben për kungimin e  së Premtes së Madhe.

Meshën in Coena Domini Papa edhe sivjet do ta kremtojë jashtë bazilikave të mëdha, pranë refugjatëve, në një strukturë romake. Atyre, që kanë shtegtuar aq shumë, do t’ua lajë këmbët e lodhura nga rruga e gjatë, nga e premtja e tyre e madhe.

Të Premten e Madhe kremtohen Mundimet e Zotit, me një liturgji të gjatë të Fjalës. Vijon Adhurimi i Kryqit dhe Kungimi eukaristik.

Në  Bazilikën e Vatikanit Françesku do të kryesojë Kapelën Papnore, që përkujton Mundimet e Zotit, duke nisur nga ora  17.00.

Në qendër të së Premtes së Madhe është Udha e Kryqit, të cilën Papa e kryeson për vit në Koloseum, në kujtim të të gjithë martirëve, që derdhën gjakun si Krishti e për Krishtin. Sivjet kremtimi, meditimet e të cilit Françesku ia besoi kardinalit Gualtiero Bassetti, do të nisë në orën 21.15.

Të Shtunën e Madhe, me liturgjinë e Fjalës, kremtohen Mundimet e Krishtit, adhurohet Kryqi dhe vijohet me kungimin shenjt të besimtarëve.

E Shtuna e Madhe na kujton varrosjen e Krishtit dhe zbritjen në mbretërinë e të vdekurve, në pritje të ngjalljes, që kremtohet Natën e Madhe të Pashkëve, nënë e të gjitha netëve pa gjumë, e edhe të Dielën e Ngjalljes.  

Papa do ta kremtojë Natën e Shenjtë të Pashkëve në Bazilikën e Vatikanit, duke nisur nga ora 20.30.

Të dielën, pastaj, në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku do të kryesojë Meshën e ditës, në oroën 10.00 e, pas saj,  në oroën 12.00, mesazhi “Urbi et Orbi”, drejtuar Romës dhe Botës si dhe Bekimi Apostolik.

Koha e Pashkëve sapo ka filluar!

Për të vijuar të shtunën, më 2 prill, ora 18.00 me Mbrëmësoren e lutjes së besimtarëve të përshpirtërisë së Mëshirës, që do të kremtojnë Jubileun e tyre.

Ndërsa të diel, më 3 prill, në të Dielën II të Pashkëve, që tashmë njihet si e Diela e Mëshirës Hyjnore, Papa do të kryesojë, në oorën 10.30, Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit. Është kulmi i Jubileut të besimtarëve të përshpirtërisë së Mëshirës.

Kujtojmë se kremtimet do të ndiqen nga disa mjete komunikimi e më i rëndësishmi, Mondovizioni. Mund të jeni të pranishëm, nga të katër anët e botës! Edhe përmes transmetimeve të Programit Shqip pranë Radio Vatikanit si dhe fejsbukut tonë.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.